“Për fat të mirë futbollistët shqiptarë nuk kanë të njëjtin trup si kryeministri i tyre, në të kundër kombëtarja zvicerane duhet të shqetësohej më tepër seç është shqetësuar”, kjo është hyrja e intervistës së gazetës zvicerane “Das Magazin” me kryeministrin Edi Rama.
Edi Rama, 51 vjeç, ish-lojtar gjysmë-profesionist basketbolli, artist i njohur ndërkombëtarisht (ekspozita në Paris, New York, Venecia, São Paulo), për njëmbëdhjetë vjet kryetar i bashkisë së Tiranës dhe që nga viti 2013 Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me një gjatësi dy metra dhe një centimetër.
Ai ulet në një tryezë prej druri para flamurit kombëtar me një shqiponjë të zezë me dy koka.
Ai ka instaluar një kosh basketbolli në paradhomën e zyrës së tij, ndërsa mërzinë gjatë mbledhjeve të qeverisë e kalon me piktura. Para ndërtesës së qeverisë është një kërpudhë gjigande e artistit belg Carsten Holler.
Cilën do të mbështesni të shtunën në Kampionatin Evropian – Shqipërinë I apo II?
Edi Rama – Shqipëria I, pa diskutim. Më kujtohet një ndeshje në Zvicër, e cila praktikisht u bë një ndeshje si në shtëpi për ne, për shkak të të gjithë shqiptarëve në stadium.
Nga shumë futbollistë me rrënjë shqiptare që lujanë për Zvicrën: Kë do të preferonit në ekipin tuaj?
Madje dy vëllezër do të përballen, kjo është mjaft bizare. (…) Ekipi i Zvicrës ka më shumë përvojë. Do të ishim të kënaqur me rezultatin 1:1». Për vëllezërit Xhaka: «Do të dëshiroja t’i shihja këta dy vëllezërit të luajnë bashkë për Shqipërinë. Më kujtojnë shqiponjën në flamurin tonë: njëri shikon Shqipërinë, tjetri Zvicrën».
Ashtu si në shtator të vitit 2015, kur kishte folur për një gazetë rajonale zvicerane, edhe gazetarëve të «Das Magazin» Rama u ka thënë atë që mendon për Zvicrën: «një vend monoton», madje kësaj radhe e ka sforcuar pak tonin – sipas tij Zvicra është «monotone për vdekje». Në hyrje të intervistës gazetarët tregojnë se ishin të befasuar me disponimin e keq të kryeministrit shqiptar gjatë intervistës. Biseda mbaron me këto fjalë të Ramës: «Tani, për fat të keq, më duhet t’ju përzë».
Edhe këtë herë Rama përmend filmin «Wag the Dog» me Robert De Niron, ku «të gjithë ne shqiptarët jemi të çmendur dhe kriminelë». Në gusht 2015 Rama e kishte kujtuar të njëjtin film kur i kishte dhënë intervistë «Süddeutsche Zeitung», pastaj kishte shtuar: «Ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone. (…) Derisa të jetoj unë ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojnë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër. Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani. (…) Nuk jam magjistar».
Çfarë bie në sy: në gati çdo intervistë kryeministri i Shqipërisë fjalët e njëjta, jep shembujt e njëjtë, arsyetimet e njëjta, kryesisht cinike.
Për Zvicrën: «Si kryetar i Tiranës njëherë kam kaluar andej (nëpër Zvicër, v.j.) dhe mendova: këtu s’dua të jem kurrë kryetar Bashkie. S’ke çfarë të bësh».
Talentin e shqiptarëve të Kosovës për futboll Rama e shpjegon me historinë e emigrimit. Kosovarët kanë emigruar shumë më herët, ata kanë pasur shansin të mësojnë këtë lloj sporti në mënyrë profesionale në shoqëritë përkatëse perëndimore.
I pyetur nëse në Shqipëri diskutohet për faktin se kosovarët luajnë kundër shqiptarëve në ekipin kombëtar, Rama i bie shkurt: «S’po e kuptoj pyetjen». Në sqarimin e gazetarëve se në Zvicër e djathta politike thotë se në ekipin kombëtar ka shumë të huaj, Rama përgjigjet: «Ndoshta orët dhe ekstremistët e djathtë janë e vetmja gjë origjinale në Zvicër? Për ju shpresoj të mos jetë kështu».
Për imazhin: «Kush dëshiron të përmirësojë imazhin, duhet të ndryshojë veten. Duhet ta zhvillojmë vendin, rajonin. Po punojmë për këtë. Po përparojmë, ngadalë, por pandërprerë. Shqiptarët dhe kosovarët e zellshëm që punojnë jashtë vendit për çdo ditë japin kontributin e tyre. Gjendja nuk është e njëjtë si në vitet ’90 kur shumë shqiptarë janë sjellë në mënyrë të pahijshme dhe kësisoj i kanë krijuar bazat për paragjykimet e tmerrshme ndaj shqiptarëve».
Arsyen e papunësisë në Shqipëri Rama e sheh te diktatura që zgjati më shumë se 4 dekada. I pyetur nëse është korrekte të thuhet se Rama është personi i dytë për nga rëndësia në Shqipëri pas ambasadorit amerikan, ai thotë: «Çfarë thoni? Unë jam më i madh se ai. Së paku sa i përket gjatësisë trupore». Dhe vazhdon me përralla cinike: «I duam amerikanët. Së paku sot kështu. Enver Hoxha, ish-diktatori ynë, gjatë një gjysmë shekulli ka bërë reklamë falas për SHBA-të, duke i mallkuar ato për çdo ditë.
Madje edhe t’i biesh saksofonit ka qenë e ndaluar. A ka diçka më atraktive se të hysh në lojë me djallin?»
Në vijim të intervistës Rama përmend si sukses të qeverisjes së tij reformën në fushën e energjisë, lavdëron qasjen e Angela Merkel ndaj refugjatëve, thotë se një ndër rreziqet më të mëdha është injoranca e Europës ndaj myslimanëve, mendon se «politika është fantastike», «një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve» – dhe në fund analizon veten e tij: «Jam në një situatë shizofrene mes artit dhe politikës dhe shpresoj shumë se më pret edhe një jetë e tretë. Një jetë në të cilën nuk duhet të ketë kundërthënie mes dy poleve. Por për të arritur këtë më duhet t’i them lamtumirë politikës».
(Express/BalkanWeb)
