*Rama: Kuvendi sot nuk është i krimineleve, por i grave. Opozita nuk e do reformën në drejtësi
TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjal të qartë kompromisi me opozitën për Reformën në Drejtësi duke deklaruar se do pranojë një nga kërkesat e saj, siç është votimi me 2/3. Këtë deklaratë kryeministri e bëri në Forumin e Gruas Socialiste, ku ‘drejtësia’ zuri vendin kryesor në fjalën e tij. Sipas Ramës, drejtësia është e kapur nga kthetrat që nuk janë të mazhorancës.
“Dakord me 2/3. Dua t’i pranoj dhe jemi gati me 2/3 sepse ne nuk duam ta kapim sistemin e drejtësisë. Ne duam ta çlirojmë nga kthetrat që e kanë kapur dhe këto nuk janë kthetrat tona. Ne nuk kemi kthetra, sepse po të kishim disa në Parlament nuk do të ishin në Parlament”, u shpreh ai.
Rama deklaroi se nëpër gjykata goditet çdo ditë Qeveria dhe interesi publik. Akuzave të Berishës, që e fajësojnë atë për lidhje me krimin, madje edhe kriminel, Rama iu përgjigj duke iu referuar të shkuarës kur Berisha akuzonte Nanon, por duke bërë edhe ironi duke krijuar një situatë hipotetike me deputetin Pandeli Majko.
“Pasi e bëri Fatos Nanon kriminel dhe çfarë nuk tha për të, doli e tha; ‘çfarë faji kam unë që ju i merrni seriozisht deklaratat e mia. Politika kjo është!”, u shpreh Rama.
“Sikur të ishim duke thithur drogë në vend të kafesë, unë me Pandin p.sh, pastaj shtrojmë dreka me gjakun e popullit, pastaj në darkë numërojmë me makina paratë se nuk i numërojnë dot me dorë, atëherë këta duhet të ishin në revolucion për të votuar reformën në drejtësi. Nuk kërkojnë këtë, kërkojnë që si t’i rregullojnë gjërat dhe gjërat mos ndryshojnë. Nëse ne do ishim kjo banda, parafytyroni ju si mund t’i kishim përdorur gjyqtarët dhe prokurorët, mund të dënonim çdo shenjt. Shikoni ç’po ndodh në gjykata, goditet qeveria, interesi publik pa asnjë gajle dhe kjo është arsye. Dhe e fundit si ka mundësi që organizata jonë kriminale është e mikpritur në Bruksel, Washington dhe në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti dhe mbështet 100% nga ekspertët për reformën në drejtësi. Si ka mundësi që organizata kriminale do atë që do Amerika dhe Bashkimi Europian? Si shpjegohet?”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur edhe kritikave që vijnë jo vetëm nga ana e PD, por dhe të deputetit Ben Blushi, kreu i Qeverisë u shpreh se përpjekja për të kriminalizuar PS vjen nga mungesa e mundësive për t’u përballur me vizionin dhe programin e kësaj force politike.
“PS është me krenari partia e grave dhe vajzave shqiptare. Ka krijuar një hapësirë të madhe për pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe vendimmarrje, duke imponuar si kusht që në çdo këshill bashkiak, përfaqësuesit e komuniteteve të jenë gra dhe vajza. Jam vërtet i bindur se duhet përsëritur fakti se PS udhëhoqi dhe vendosi bashkë me të tjerët që prania e grave në Kuvend të rritet në mënyrë të ndejshme. Sot kemi një Kuvend që nuk është i kriminelëve, por një kuvend me numrin më të madh të grave dhe vajzave në historinë e këtij vendi. Përpjekja për të kriminalizuar PS është e atyre që përballë PS janë të vegjël. Të vegjël në përmasë, alternative, në ide, në qytetari, dhe në raport me sfidat dhe problemet që ka vendi.
Përpjekja për të kriminalizuar PS dhe për të drejtuar gishtin e akuzës, është përpjekja e atyre që të gtjiha shpresat për t’u përballur me forcën e vizionit, programit, lidershipit, i kanë varur tek më e pashpresa armë, kriminalizimi i çdo ideje të re, projekti të ri, vendimmarrje, reforme. Ndërkohë që ne jemi në një rrugë reformash që shprehin qartë për këdo që do të shohë e të dëgjojë, vendoshmërinë e PS për të qenë në lartësinë e historisë së saj, si partia që ka barrën të ndërtojë, rindërtorjë, pa pushim”, tha kryeministri Rama.
Kreu i socialistëve tha se tashmë ka ardhur momenti për të hequr dorë nga avazi i vjetër, dhe për të ecur përpara me reformat.
“A duam të heqim dorë nga avazi i vjetër dhe të bëjmë përpara për gjeneratën tjetër. A e dini se si është avazi i vjetër. Çfarë katrani me bojë është të jesh në krye të PS. Ky është avazi i vjetër. Dhe për ta ilustruar këtë nuk mungojnë akuzat, shpifjet, gojëdhënat. Por ne duhet vetëm të shkojmë përpara. Të mos harrojmë asnjë çast se pse po bëjmë këtë që po bëjmë, dhe pse morëm përsipër që ditën e parë rrugën e vështirë”, vijoi Rama.
(el.sp/BalkanWeb)
