TIRANE – Gjatë fjalës së tij në konferencën e ambasadorëve, që u zhvillua në kryeministri, shefi i qeverisë Edi Rama theksoi se e nesërmja mund të ketë kosto të pallogaritshme në varësi të fatit që do të ketë reforma në drejtësi.

Kryeministri theksoi vendosmërinë për të bërë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë, për të gjetur rrugën e kompromisit për miratimin e reformës.

“Është e ditur botërisht se rruga që kemi bërë drejt BE-së kushtëzohet në drejtimin dhe shpejtësinë e saj nga miratimi i reformës në drejtësi. Një reformë me interes strategjik për Shqipërinë. Një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe raportin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 vjetëve një angazhim kaq i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë sa angazhimi për reformën në drejtësi. Ju e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE, imazhin besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë strategjikë dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme. Dua ta nënvizoj edhe përpara jush që ne jemi shumë të vendosur që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë”- deklaroi kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se bashkëpunimi me Kosovën dhe marrëdhënia në një nivel të ri ka sjellë rezultate konkrete.

“Në muajt e fundit kemi shënuar rezultate konkrete në të gjitha drejtimet. Marrim bashkëpunimin me Kosovë, çfarë potenciali ka ky bashkëpunim dhe sa gjëra janë bërë të mundura falë këtij bashkëpunimi në një nivel të ri. Mekanizmi i mbledhjeve të përvitshme të 2 qeverive ka dhënë fryte konkrete”, tha ai.

Rama tha se “Kemi rënë dakord për një plan pune për normalizimin e dialogut dhe të çështjeve që pengojnë zhvillimin e natyrshëm të marrëdhënieve dypalëshe që kanë një potencial shumë të madh”.

“Kemi zgjedhur të pranojmë një politikë të hapave të vegjël që nuk është zgjedhja jonë ideale, por kemi qenë të qartë që për ne këto janë çështje të rëndësishme për të shtyrë më tutje marrëdhëniet. Kemi konstatuar me kënaqësi se ka një përparim, jo aq të shpejtë sa do kishim dëshiruar por të qëndrueshëm nga shkalla e kuptueshmërisë së fqinjëve tanë për peshën që kanë këto çështje që duhet të zgjidhen patjetër”, u shpreh Rama.

Kryeministri lancoi edhe një nismë të re për zgjidhjen e çështjeve në interes të të gjithëve.

“Ideja më re, iniciativa e Tiranës, një forum. Na nevojitet një platformë debatesh intensive për integrimin në BE dhe probleme që na interesojnë të gjithëve”, tha ai.

Rama deklaroi se Shqipëria ka ikur nga harta e origjinës për luftëtarët e huaj.

“Jemi krenarë të themi se ja kemi dalë të frenojmë një fenomen shqetësues. Nga viti 2015 deri më sot nuk është regjistruar asnjë luftëtar i huaj nga Shqipëria. Në Tiranë do të ndërtojmë qendrën e ekselencës kundër ekstremizmit të dhunshëm për të trajtuar çështje që lidhen me radikalizmin dhe ekstremizmin, për ndërtimin e një ekspertizë për të adresuar këto fenomene”, u shpreh ai.

Në fund Rama foli edhe për shërbimin e jashtëm. Ai tha se Shqipëria ka një shërbim të jashtëm më të mirë por jo më të mirin që mund të ketë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb