*Bushati: Shqipëria e angazhuar për sfidat e sigurisë
* Raportuesi francez, Bocket: Të rriten shpenzimet për mbrojtjen
* Raportuesi norvegjez: Lufta në Siri, duhet zgjidhje politike
TIRANË- 
7 vjet që nga prilli i vitit 2009 kur u anëtarësua me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut te Veriut, NATO, Shqipëria mirëpriti për herë të parë Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Për 3 dite me radhë pjesëmarrës nga 28 vende te Aleancës do te diskutojnë per sfidat kryesore me te cilat përballet NATO.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj Asambleje është se zhvillohet 6 javë përpara Samitit të Varshavës, në të cilin do të vendoset vazhdimësia sa i takon reagimit të NATO-s ne raport me sfidat qe vijnë nga Rusia, konflikti ne Irak dhe Siri , kriza e emigranteve, lufta kundër terrorizmit etj.

Në ditën e parë të kësaj Asambleje një prej 5 Komiteteve ishte ai i politikës, ku u diskutuan pikërisht këto çështje të rëndësishme, si lufta kundër terrorizmit, kërcënimi i Rusisë në Lindje apo edhe kriza e emigrantëve.

Presidenti i Asamblesë, Michael Turner pikërisht për angazhimin e saj e vlerësoi Shqipërinë si aset ne betejat e përbashkëta të NATO-s. Shqipëria ka bërë një transformim të mrekullueshëm dhe ajo është një anëtare e besueshme dhe e angazhuar e saj, ishin fjalët vlerësuese të Presidentit Turner.

Kriza e emigrantëve, ishte një tjetër çështje e rëndësishme që u theksua në punimet e kësaj Aleance, duke u theksuar roli pozitiv që luajtën vendet e Ballkanit, madje u theksua se në disa aspekte të veçanta këto vende luajtën më shumë rol sesa disa vende të caktuara të BE.

Tema e terrorizmit u prek gjatë në këtë Asamble, ku problemi kryesor që u evidentua ishte ai i luftëtarëve të huaj.

Këtu u theksua nevoja për më tepër informacion mes vendeve, por edhe kontroll më i madh sa i përket luftëtarëve të huaj që rikthehen në vendet e origjinës, ku rajoni i Ballkanit shihet si problematik ende.

RAPORTUESI FRANCEZ, BOCKET: TË RRITEN SHPENZIMET PËR MBROJTJEN
Një çështje e rëndësishme e diskutuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ishte edhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen për të arritur në nivelin 2 për qind të GDP-së.

Në panelin mbi implementimin e buxhetit për sfidat e reja për mbrojtjen nga lufta, raportuesi francez, Jean-Marie Bockel kërkoi që “vendet europiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen”.

“Ka rritje të pasigurisë së jashtme të shoqëruar kjo me pasiguri të brendshme të vendeve tona. Gjatë viteve 2013-2015 rusët kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen. Greqia dhe Turqia i kanë kushtuar proporcione të mira mbrojtjes, ndërkohë që vendet e tjera duhet të rrisin më tej shpenzimet. Vetëm bashkë mund të japim besueshmëri”, tha ai.

“Nuk jam ekspert i çështjeve të Rusisë, por unë e di që duhet të jemi të fortë brenda NATO-s dhe nuk duhet të tregohemi agresivë. Duhet të bashkëpunojmë për çështje të ndryshme dhe nëse nuk kemi besim tek njëri-tjetri nuk do të ndërmarrim veprime”, deklaroi Bocket.

Ndërsa Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Hon. Michael R. Turner u shpreh për forcimin e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s. “Nëse mendojmë për të tërhequr kapacitetet ushtarake, disa vende pjesë e NATO-s nuk kanë infrastrukturën e duhur”, tha ai.

HALLERAKER: LUFTA NË SIRI, DUHET ZGJIDHJE POLITIKE

punime-te-ansamblese-300x200
“Lufta në Siri është në vitin e gjashtë dhe Assad, është përgjegjës për gjakderdhjen e tmerrshme që ka ndodhur. Vetëm një zgjidhje politike mund t’i japë një fund të vërtetë dhe të qëndrueshëm konfliktit në Siri”. Kështu u shpreh raportuesi i përkohshëm norvegjez Oeyvind Halleraker, i cili paraqiti mesditën e së shtunës gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, draft raportin për “Sigurinë e Gjirit” të Nën-Komitetit për Marrëdhënie Transatlantike.

Halleraker tha se kriza e emigrantëve ka sjellë destabilitet për disa vende. Ndërsa vuri në dukje se në këtë fazë shtetet e Gjirit Persik me pasuritë e tyre sovrane mund të kenë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e Sirisë, pasi të ketë përfunduar konflikti.

NATO vijoi raportuesi norvegjez, duhet të punoj me partnerët e Gjirit për të luftuar organizatat terroriste. “Aleatët e NATO-s nuk bien dakord për shumë gjëra me Iranin, i cili duhet t’i përmbahet marrëveshjes dhe kufizimeve për programet bërthamore”-tha ai duke u ndalur në faktin se, “programi Iranit për raketat është i jashtëligjshëm”.

Halleraker apeloi se duhet një përgjigje e bashkërenduar mes vendeve kundër sulmeve terroriste dhe situatave destabilizuese në Lindjen e Mesme.

MAJKO: MBËSHTESIM ANËTARËSIMIN E SERBISË DHE TË KOSOVËS
Deputeti socialist, Pandeli Majko foli për një NATO të hapur për të gjitha vendet e rajonit gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Majko tha se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Serbisë dhe të Kosovës.
“Nuk mbështesim politikat bllokuese në NATO. Mbështesim anëtarësimin e Serbisë dhe të Kosovës. NATO e hapur për gjithë vendet e rajonit. NATO është një aleancë që nuk bën armiq”, u shpreh ai.

PRESIDENTI I AP NATO, TURNER: SHQIPËRIA PARTNER I BESUESHËM
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner e ka cilësuar Shqipërinë një partner të besueshëm duke deklaruar se zëri i saj është dëgjuar shumë në NATO. Turner ka analizuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me sigurinë ndërkombëtare.

“Asambleja Parlamentare e NATO-s një forum për të dialoguar për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin. Zëri i Shqipërisë është dëgjuar shumë në NATO. Të gjithë të bëjnë sa më shumë për zgjerimin. Shqipëria është një partner i besueshëm në NATO. Të denoncojmë kërcënimet bërthamore të Rusisë. Partnerët e NATO-s të bëjnë më shumë. Zgjerimi i NATO-s, i rëndësishëm për sigurinë. ISIS është një ‘kancer’ dhe kërcënim ndërkombëtar. Angazhim për politikën e dyerve të hapura. Shqipëria ka dhënë kontribut kundër terrorizmit. Secili nga vendet anëtare ka kontribut në Ballkan. Kërcënimi nga Rusia në rritje, po i përgjigjemi”, ka thënë Turner.

BUSHATI: SHQIPËRIA, ANËTARE E BESUESHME E NATO-s

ditmir bushati
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në fjalën e mbajtur në hapje të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, deklaroi se shtatë vitet e anëtarësimit tonë në Aleance e kanë shndërruar Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm rajonal që ka angazhimin e duhur për sfidat me të cilat përballet sot siguria europiane.

“Anëtarësimi në Aleancë për Shqipërinë ishte rezultat i demokratizimit të vendit dhe mbi të gjitha shprehje e përkatësisë europiane të saj”, tha ministri.

“Ne kemi dëshmuar, theksoi Bushati, se jemi anëtarë të besueshëm te NATO-s dhe ne vazhdojmë të mbështesim politikën e dyerve të hapura të organizatës”.

“Sa i takon Kosovës,- theksoi ai,- ne besojmë se një rrugë e qartë dhe e mirëpërcaktuar drejt proceseve integruese si në BE e NATO janë parakusht për të pasur një siguri të qëndrueshme e stabilitet demokratik për rajonin”.

“Angazhimi ynë përmes misioneve të NATO-s është dëshmi e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë sonë. Kjo frymë na nxit të vijojmë kontributin tonë duke rritur nivelin e pjesëmarrjes”, shtoi Bushati.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb