NGA BRIKENA METAJ*

GSH” sjell sot pamjet e para të imazhit të ri të shtëpisë së Ismail Kadaresë në Gjirokastër. “Shtëpia Kadare”, monument kulture do të shndërrohet tashmë në muze dhe rezidencë, duke i dhënë Gjirokastrës më shumë prej e emrit e të shkrimtarit të njohur.

Ndërkaq, gjatë punimeve për restaurimin e banesës së shkrimtarit Ismail Kadare janë zbuluar disa elementë e dëshmi historike në lidhje me periudhën e ndërtimit të saj. Sipas restauratorëve, i rëndësishëm është zbulimi i një pllake guri në të cilën është gdhendur viti i ndërtimit të banesës si dhe emrat e mjeshtrit gurëgdhendës që punuan në të. Pllaka u takon viteve 1700 e shkruar me germa greke, por emrat mendohet në jenë në gjuhën shqipe “Mihos, Gjikas dhe Kolas”. Mendohet se këto janë emrat e tre mjeshtërve që kanë udhëhequr punimet në banesë. Një tjetër zbulim është edhe një skulpturë në miniaturë e gdhendur në mur, ku duket një aziatik që i bie daulles. Ky objekt duket i çuditshëm pikërisht për faktin se i takon një personazhi që vjen nga lindja e largët. Mendohet që objektet e gjetura të ekspozohen në banesë në përfundim të saj. Pjesë e rëndësishme e këtyre punimeve është edhe bërja e vizitueshme e disa prej mjediseve të banesës si stera e ujit, dhomat e gurta në katin e nëndheshëm të shtëpisë etj.

Në katin e parë të banesës ndodhet hyrja që në fazën origjinale të saj shërbente për vendosjen e kafshëve, krahas qilarit të madh ku vendoseshin zahiretë e dimrit. Sipas arkitektit Agron Doraci, është e përshtatshme që vizita të fillohet nga kati i nëndheshëm ku ndodhet qilari me rezervat dimërore ushqimore duke kaluar në pjesën e sipërme të objektit, që sipas shkrimeve që edhe vetë shkrimtari ka bërë, sidomos në romanin “Kronikë në gur” do të ketë një linjë shumë funksionale të pandërprerë me njerëzit që do ta vizitojnë atë. Në përfundim të turit të tyre në banesë vizitorët do të zbresin në qilarin e madh ku do të jetë një “klasë” në të cilën do të ekspozohet jeta e shkrimtarit. Në mjediset e brendshme të banesës mbizotërues është druri. Xhami është një tjetër element i veçantë i papërdorur në variantin origjinal të banesës. Sipas Doracit, në restaurimin e kësaj shtëpie janë marrë elemente nga banesa e Babametove, Skendulatëve, Çabejve. Gjatë kryerjes së punimeve i është kushtuar rëndësi faktit që ato t’i shërbejnë jo vetëm kthimit në një objekt të vizitueshëm nga turistët, por edhe konceptimit si një shtëpi muze.

Muzealizimi
Sipas përfaqësuesve të bordit të punës, në kuadër të ndërtimit të një kalendari me rastin e aktiviteteve për 80 vjetorin e Kadaresë, është ende herët për të folur për muzealizimin e banesës. Ajo që po mendohet për datën e afërt të promovimit të kësaj banese është arredimi i brendshëm i saj, duke iu përmbajtur elementeve karakteristike të mobilimit të banesës tradicionale gjirokastrite.
2016 është shpallur nga Bashkia Gjirokastër si “Viti i Kadaresë”, ndërkohë që në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit janë organizuar një sërë aktivitetesh, që do të kenë në qendër jetën dhe krijimtarinë e pasur të Kadaresë.

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës, në datën 7 janar 2016, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare”. Sipas ministres Kumbaro, marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim vënien në funksion për qëllime muzeale, artistike e kulturore dhe rezidenciale të banesës “Shtëpia Kadare”. “Shtëpia nuk do të jetë thjesht një qendër muzeale, por një qendër aktivitetesh kulturore. Qëllimi ynë është që një pjesë e mirë e aktiviteteve kulturore e letrare të tërhiqen drejt Gjirokastrës, drejt kësaj shtëpie që do të jetë një qendër historike dhe një qendër e kulturës së gjallë”, u shpreh Kumbaro. Ditëlindja e 80 e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare do të nisë në moton “Gjirokastra lexon me Kadarenë”, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. “Shtëpia Kadare” është në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe është dhuruar nga shkrimtari i mirënjohur me destinacion në një qendër kulturore, muzeale dhe rezidenciale.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb