TIRANE– Situata me zjarret gjatë muajve të verës ka qenë shqetësuese thuajse në të gjithë territorin e vendit. Vatra zjarri janë krijuar edhe gjatë ditëve të fundit, kur temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Në mjaft raste, shkak i zjarrit ka qenë zjarrvënia e qëllimshme, ku përveç shkatërrimit të sipërfaqeve të tëra pyjore, kanë përbërë një rrezik të madh edhe për banorët në zonat pranë vatrave të zjarrit.

Ndërhyrja nga ajri me helikopter ka qenë e domosdoshme, pasi në mjaft raste terreni i thyer pamundësonte ndërhyrjen nga ajri të forcave të ushtrisë, të emergjencave civile, apo edhe vetë qytetarëve.

Gjatë një mëngjesi pune që ka zhvilluar sot me gazetarët, kryeministri Edi Rama është shprehur se do të ketë një ristrukturim të plotë të Emergjencave Civile.

Sipas Ramës, nevojitet një organizim më i mirë i të gjitha strukturave, në mënyrë që të përballohen me sukses emergjencat e ndryshme.

“Përveç ristrukturimit të Emergjencave Civile, me rëndësi në rastet e zjarreve është edhe angazhimi i qytetarëve”, u shpreh kryeministri Rama.

Sakaq, kreu i qeverisë tha se mandati i parë shërben si burim eksperience, ndërsa theksoi se në 4 vitet e ardhshme do të vijohet me realizimin e projekteve të rëndësishme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: