Nga: VJOLLCA KONGJONI
TIRANE – Shqetësimit të biznesit për çështjen e rrezikut nga rrezatimi të produkteve që skanohen në doganat shqiptare i është bashkuar edhe zëvendës ministri i Bujqësisë, Alban Zusi. I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi”, të gazetares Vjollca Kongjoni, ku u trajtuan problemet e skanimit nga koncesioni monopol Rapiskan, Zusi deklaroi se ky shërbim duhet përjashtuar, pasi rrezikon jetën e konsumatorëve.

“Absolutisht skanimi i mallrave ushqimor duhet evituar dhe përjashtuar në çdo mënyrë, nuk mund të tolerohet. Skanimi është një proces nga pikëpamja teknologjike i rrezatimit i depërtimit i të gjithë sipërfaqes prej dy metra e gjysmë që është gjerësia e trajlerit, me rreze shumë të fuqishme elektromagnetike, të cilat kanë edhe aftësinë për të modifikuar. Ne skanohemi por skanohemi prej hallit për të evituar një sëmundje të rëndë, pra është një domosdoshmëri kur nuk e eviton dot. Por jo të skanosh produktet ushqimore, edhe nëse ka raste dyshimi ka mënyra të tjera për tu bërë, siç është analiza e riskut”- deklaroi Zusi.

Këto deklarata sollën ndërhyrjen në emision të presidentit të kompanisë koncesionare Xhonatan Fleming, i cili kërkoi të garantonte shqiptarët se rreziku nga skanimi i ushqimeve në dogana është zero.
“Absolutisht jo. Ka me qindra sisteme në të gjithë botën në aeroporte, porte detare, kufijtë shtetëror. OBT, agjencia ndërkombëtare atomike, agjencia e ushqimeve dhe e medikamenteve të SHBA e ka testuar këtë sistem dhe në çdo rezultat që ka dalë, skanimet nuk kanë asnjë ndikim në asnjë produkt ushqimor.”- deklaroi Jonathan Fleming, president i “S2 Global”.

Por këto deklarata nuk e bindën zëvendës ministrin Zusi.
“Ne kemi një realitet europian nuk kemi përse të merremi me bindjet e tij , i cili nuk flet për një standard ndërkombëtar. Ne kemi një realitet evropian, le të shkojmë në të gjitha vendet e Europës dhe të shohim trajtimin e ushqimeve.”- tha ai.

Për të dhënë garancinë se risku nga rrezatimi i skanimit është zero ka kërkuar ndërhyrjen telefonike në emision edhe Rustem Paci, kryetari i Zyrës së mbrojtjes nga rrezatimi në Shqipëri.
“Risku i cili lidhet me skanimin e ushqimeve është zero, ndërsa risku që lidhet me skanimin e personat në rastin e shoferëve të lihen jashtë në momentin e skanimit. Skanimi i indeve të gjalla përbën një problem ndërsa për sa i përket pjesës tjetër në të gjithë botën për të ruajtur cilësinë e ushqimeve përdoren edhe rrezatime shumë më të fuqishme me qëllim që të vrasin mikroorganizmat. Por kjo është një çështje shumë e gjerë dhe nuk janë njerëzit e ekonomisë dhe njerëzit e rrugës që të flasin për këtë çështje. Të dy skanerët kanë licencën nga komisioni I mbrojtjes nga rrezatimet. Por për Sinan Mucën, përfaqësuesin e shoqatës së transportuesve ndërkombëtar, skanimi në doganat e tjera europiane nuk bëhet për ushqimet e freskëta, por vetëm për ato frigoriferike.”- tha Paci.

Të ftuar në panel edhe krerët e shoqatave të biznesit Nikolin Jaka dhe Luan Bregasi dhe Luigj Aliaj, i bën apel qeverisë të marrë masa për të përjashtuar nga skanimi mallrat e konsumit. Sipas tyre, kjo çështje nuk do të mbetet në fazën e një rebelimi të vogël, por do t’i shkojnë asaj deri në fund për të mos rrezikuar, sikurse u shprehën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve dhe fëmijëve shqiptarë.
Jaka

“Derisa kemi prononcimin e zv/ministrit do të thotë që kemi diçka profesionale. Në qoftë se ne jemi kaq të pavëmendshëm ndaj një problem shumë thelbësor ndaj konsumatorin shqiptarë do të thotë që ne kemi humbur ndjesinë për çdo gjë.”- deklaroi Jaka.

“Kjo gjë nuk do mbetet në fazën e një rebelimi të vogël. Unë mendoj se në rast se qeveria nuk ka mundësi sipas gjasave sepse kostot janë të larta duhet të paktën të përjashtojë nga skanimi ushqimet, mirë paratë që I marrin por të paktën të ruajmë shëndetin e njerëzve, se jemi dhe çnjerëzor, mirë marrim lekun por s’pyesin për jetën e qytetarëve, jetën e fëmijëve. Mendoj se qeveria nëse kërkon ta lerë këtë koncesion duhet ti paguaj vetë paratë.”- deklaroi Bregasi.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb