TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura me Kryesinë dhe kryetarët e Komisioneve në sallën e grupit të PS në Kryesine e Kuvendit. Mbledhja vjen pasi opozita braktisi konferencën e kryetarëve ku kërkoi dorëheqjen e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Jashtë Kryesisë, pas mbledhjes Balla tha se çdo përpjekje për t’i bërë gropën Shqipërisë është për të ardhur keq, duke dënuar largimin e opozitës nga Konferenca e kryetarëve dhe qëndrimin e saj.

“Konferenca e kryetarëve është institucioni që përgatit punën për hapjen e parlamentit me një axhendë intensive. Së pari me përgatitjen e legjislaturës për implementimin e reformës në drejtësi. Kryetari i kuvendit kërkoi që menjëherë ditën e hënë të fillojë puna për ngritjen e KLGJ dhe KLP. Në mënyrë të çuditshme ata që thoshin pse po vonohet KLGJ e KLP nuk morën pjesë fare në mbledhje.
I përsëris thirrjen Lulzim Bashës dhe opozitës që Shqipëria nis me sesionin parlamentar të datës 15 një axhendë të rëndësishme që ka të bëjë me një vendimmarrje pozitive për hapjen e negociatave. Në këtë proces jemi të gjithë të domosdoshëm për të mos i prishur punë. Kemi filluar punën për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nenet ku ka rekomanduar ndryshime. Detyra kushtetuese e opozitës të jetë në Kuvend. 600 mijë shqiptarë, 400 mijë të PD-së dhe 200 mijë të LSI-së i kanë votuar për të qenë në Kuvend”, deklaroi Balla.

I pyetur se a ka frikë maxhoranca se 27 janari mund të kthehet në 21 janar të dytë, Balla tha: “Çdo përpjekje e tillë për t’i hapur një gropë Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave i bën keq Shqipërisë dhe çdo gjë që i bën keq Shqipërisë është për të ardhur keq”.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: