TIRANË-Avokati i Popullit, Igli Totozani ka dale kundër gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI.

“Dita ditës, po konstatojmë me shqetësim se gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI është intensifikuar. Gjendemi përballë një fushate denigruese, fyese dhe diskriminuese, e cila po i bën shërbimin më të keq garantimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Respektojmë dhe vlerësojmë maksimalisht lirinë e shprehjes, por në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerojmë pseudolirinë që fyen, ofendon”, eshte shprehur ai.

“Shqipëria nuk po i mbron të drejtat e komunitetit LGBTI thjesht dhe vetëm për të qenë pjesë e Europës së qytetëruar, ne duhet t’i mbrojmë këta individë nga dhuna, diskriminimi, nga fyerjet dhe abuzimet, dhe duhet të garantojmë një jetë normale për ta njëlloj si për çdo qytetar tjetër të Republikës së Shqipërisë. Anëtarët e komunitetit LGBTI janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, si gjithë ne të tjerët. Ata janë pjesë e familjeve tona, janë motrat dhe vëllezërit tanë dhe si të tillë meritojnë të trajtohen me dinjitet, dhe të gëzojnë të drejta si çdo qytetar tjetër në Republikën e Shqipërisë”, tha Totozani.

“Gjuha e urrejtjes dhe qëndrimet diskriminuese të adresuara së fundmi ndaj personave LGBTI dhe të drejtave të tyre nuk e ndihmojnë shoqërinë shqiptare për të ecur përpara. Ju kujtojmë të gjithëve, se Shqipëria ka ratifikuar Konventën dhe Aktet e tjera të të drejtave të Njeriut për mbrojtjen nga diskriminimi, legjislacion ky që duhet të jetë në fuqi jo thejsht simbolikisht, por për t’u zbatuar. Ftoj të gjithë shoqërinë shqiptare të tregojë maturi dhe mençuri dhe të mos bëhet palë me homofobë që nxisin urrejtjen ndaj komunitetit LGBTI, por të debatojmë në mënyrë qytetare dhe të kulturuar. Të mos harrojmë se nxitja e urrejtjes është një akt i dënueshëm i parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Totozani.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: