TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka urdhëruar inspektimin për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Ali Koleci. Nga verifikimi paraprak rezulton se ky gjyqtar, me vendim të datës 03 Korrik 2015, ka ndryshuar institucionin e vuajtjes së dënimit për të dënuarin me inicialet U.S, nga “Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel” duke e transferuar atë në “Burg të sigurisë së zakonshme” në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Shtetasi U.S., është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në dhjetor 2014 me 35-vjet burgim, për veprën penale të “Vrasjes për gjakmarrje dhe armbajtje pa leje”, duke vendosur se vendi i ekzekutimit të dënimit do të ishte “Burgu i Sigurisë së Lartë”.

Gjyqtari Ali Koleci, në 3 Korrik 2015, duke vlerësuar se i pandehuri U.S, nuk karakterizohet nga sjellje që pengojnë qëndrimin e tij në burg të sigurisë së zakonshme, ka vendosur ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit.

“Bazuar ne rregullat e rendit dhe të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të burgjeve, ndryshimi i vendit të vuajtjes së dënimit për këtë të dënuar është në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Drejtësisë, do të verifikojë këtë rast dhe rreth 50-raste të tjera të ngjashme, kur në kundërshtim me kriteret ligjore, gjykatat kanë ndryshuar apo kanë lënë pa përcaktuar institucionin e ekzekutimit të vendimit penal për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

(be/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb