Buxheti i Bashkisë Tiranës për vitin 2018 mund të konsiderohet edhe si buxheti i zonave periferike dhe rurale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak duke u ndalur te Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm theksoi se ai vjen në masë 15 për qind më i lartë se buxheti aktual, ndërsa bëri të ditur se një vëmendje e theksuar e investimeve që ai do të mbulojë i përkasin zonave periferike, periurbane dhe rurale të Tiranës, duke synuar që brenda vitit 2019 të çohet urbanizimi i plotë kudo ku banojnë qytetarë të Tiranës. Ai tha se vetëm në këtë vit janë rreth 200 rrugë të reja në Tiranë.

“Vetëm javën e kaluar mbyllëm rrugët që lidhin Shkozën me Porcelanin, rrugët tek Kopshti Zoologjik dhe shumë lagje të reja që kishin ngelur pa u urbanizuar dhe pa u lidhur me pjesën tjetër të Tiranës, sidomos tani që u hap unaza jugore. Më në fund edhe këto zona po shohin ndërhyrje. Fokusin më të madh në dy buxhetet e ardhshme do ta kemi kryesisht në zonat periferike dhe periurbane, pra zonat rurale dhe zona le të themi në periferi të Tiranës, tani që qendra deri diku është ftilluar në fazën e parë të emergjencave të investimeve”, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij para këshillit Bashkiak, kryebashkiaku, Erion Veliaj bëri dhe një prezantim të punëve kryesore që ka bërë Bashkia e Tiranës gjatë këtyre muajve të fundit, ku evidentoi fushatën e mbjelljeve të pemëve dhe gjelbërimin e Tiranës, në funksion edhe të projektit madhor të krijimit të Pyllit Orbital. “

Dua t’iu informoj se kemi bërë një plan, të cilin do ta reflektojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm për Pyllin Orbital. Ne kemi filluar ta konturojmë pyllin përgjatë unazës jugore pjesë e së cilës do të jenë edhe në qytet, deri tani ka shkuar mbarë”, shtoi Veliaj duke theksuar se synimi është që këtë vit të mbillen rreth 100 mij pemë.

Sa i përket mobilitetit Veliaj bëri të ditur se pas testimit me sukses të autobusëve elektrik gradualisht do të nisë edhe zëvendësimi flotës së mjeteve nga operatorët privat që ofrojnë shërbimin e transportit urban në Tiranë. “Kemi pasur edhe testimet e para të autobusëve elektrikë në Tiranë, me testimin në linjën Kombinat-Kinostudio dhe 2-3 linja të tjera. Më vjen mirë që testimi shkon me sukses, disa nga kompanitë kanë filluar të bëjnë porositë e para të autobusëve elektrikë. Dua të inkurajoj edhe kompanitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë dhe t’i provojnë Bashkisë së Tiranës që po bëjnë porositë e autobusëve elektrikë. Se janë polakë, kinezë, belgë apo holandezë për ne nuk ka rëndësi, rëndësi ka të fillojë konvertim i flotës drejt autobusëve elektrikë i cili sigurisht nuk do të ndodhë brenda natës. Ajo që kemi propozuar është që çdo vit ne të kemi mbi 20% të flotës që fillon e konvertohet në autobusë elektrikë në bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj teksa shtoi se Bashkia e Tiranës po shqyrton dhe propozimin për të krijuar një kompani publike me autobusë elektrik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në funksion të përqafimit të transportit alternativ dhe të gjelbër, shumë shpejt në Tiranë do të vij një flotë prej 4 mijë biçikletash, ndërsa Bashkia do të vijojë projektin për ndërtimin e një rrjeti minimal korsish biçikletash. “Një pjesë e madhe e kantiereve të hapura në qytetin e Tiranës janë të fokusuara në korsitë e dedikuara të biçikletave. Keni parë rrugën e Dibrës që po transformohet. Adaptimi me korsinë e biçikletave po ndodh edhe tek Zogu i Parë. Jemi duke bërë një plan që në fillim të vitit tjetër ne të kemi kompletuar 10 kilometra korsi të dedikuar biçikletash me sinjalistikë vertikale dhe jemi përgatitur që në muajin mars të lançojmë në Tiranë “bike share”, pra biçikletat që përdoren nga qytetarët, ku do të sjellim 4 mijë biçikleta në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës po vijon sipas planit projektin e ndërtimit të 16 shkollave të reja, krahas investimeve që po bënë me financimet e veta në çerdhe dhe kopshte. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideroi lajm të mirë për komunitetin në Tiranë edhe projektin për bashkëpronësinë. Ai tha se tashmë janë shpërndarë 500 certifikatat e para për administratorët e pallateve, ndërkohë që në total janë 2415 pallate që kanë ngritur sot asambletë dhe janë në proces të zgjedhjeve të kryesive. “Në gjysmën e Tiranës sot jemi vetëm një hap larg ngritjes së zinxhirit të plotë të menaxhimit të territorit dhe hapësirave komunitare”, tha Veliaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: