TIRANE – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj i është përgjigjur për herë të parë publikisht akuzave të deputetes të PD-së, Mesila Doda, se nisma e dikasterit që ai drejton për hapjen e dosjeve ka probleme nga ana e përmbajtjes dhe ajo proceduriale.
I ftuar në emisionin “Njerëz në fokus” të gazetares Ola Bruko në televizionin ‘News 24’, Veliaj kërkoi që e majta dhe e djathta të bëhen bashkë në procesin e hapjes së dosjeve, ndërsa theksoi se ky proces nuk mund të realizohet përmes lustracionit masiv, por vetëm përmes atij individual. Po ashtu, ai nuk përjashtoi mundësinë që nisma e MMSR dhe ajo e Grupimit për të Drejtat e Njeriut, ‘të shkrihen’ në një të vetme.
Si i përgjigjeni znj. Mesila Doda, z.Veliaj?
Unë nuk besoj te kultura e replikave, por për efekt të kronoligjisë është mirë të theksojmë se ishte Kryeministri Edi Rama, që në ceremoninë e hapjes të Bunk’Art, anonçoi këtë nismë. Qeveria tregoi qëllimin e vet për të qenë transparente disa ditë përpara kësaj iniciative. Ajo që kërkuam ishte të kishim një tryezë, ku pjesë ishte edhe Petra Blas, një nga personat kyç në hapjen e dosjeve në Gjermani.
Kur ka filluar projekti për hapjen e dosjeve?
Ka filluar që kur morëm mandatin, në muajin tetor.
A keni bashkëpunuar me Grupimin për të Drejtat e Njeriut?
Nuk ka asnjë sekret, Grupimi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe deputetët e nderuar Doda dhe Idrizi kanë qenë në djeni se MMSR ka pajtuar një ekip gjerman që po merret me këtë çështje. Ndaj këtu po flasim vetëm për taktikë: Kryeministri anonçoi i pari dhe me ta dëgjuar, grupet e tjerë nxituan për këtë, por s’ka asnjë problem. Nisma jonë është kryekëput modeli gjerman, i cili bën një transparencë totale të hapjes së dosjeve për personat e prekur, për institucionet mediatike, për institucionet që merren me shkrimin e historisë dhe sigurisht për institucione që merren me çështje të drejtësisë. Nisma jonë ndryshon nga nisma tjetër. Së pari ne kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, që thonë se nuk mund të bëjmë përjashtim masiv nga puna të njerëzve. Çdo njeri duhet gjykuar mbi gjërat individuale. Kjo do të thotë se nëse në ish-Sigurimin e Shtetit ka punuar një pastruese, fakti që ajo ka marrë rrogën në këtë institucion, ligji nuk e bën ‘mëkatar’. Një ligj që propozon përgjegjësi kolektive, dhe jo individuale është automatikisht antikushtetues.
Ligji i Grupimit për të Drejtat e Njeriut është antikushtetues dhe për sa kohë ka diçka të tillë automatikisht nuk kalon. Nëse duan që dosjet të mos hapen, mënyra më e sigurt është të kalojnë një ligj antikushtetues, që rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese dhe dosjet nuk do hapen kurrë. Pra, apeli im për kolegët Doda dhe Idrizi dhe mikeshën time Ballauri është ky: Doni t’i hapim dosjet? Nuk i hapim dot në mënyrë antikushtetuese, pasi kështu nuk do të hapen kurrë. Mënyra e vetme për t’u hapur dosjet është që ne të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Komisionit të Venecias për t’i hapur sipas modelit gjerman.
Atë kërkojnë hapjen e dojeve, por duan dhe një ligj lustracioni . . .
Sigurisht që ka një hapësirë shumë të madhe të kërkesave fillestare, por mendoj që mendjet e arsyeshme do bëhen bashkë në atë që është ligjore, por që plotëson dhe arsyen pse kjo iniciativë ka nisur dhe ajo që është ligjore është që ne nuk mund të bëjmë lustracion masiv, por individual dhe për këtë gjykata ka qenë shumë e qartë. Por, përtej qëndrimeve të Dodës, Idrizit dhe Ballaurit nuk kuptoj qëndrimine PD-së, që si parti e djathtë duhet të mbështesë hapjen e dosjeve. Por fakti që ata që kundështojnë janë lidershipi aktual i PD, është pak diskretitues për të kuptuar që kush do realisht që të hapen dosjet. Unë them që e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të ketë një shumicë, ashtu siç mendon dhe znj. Doda, përtej të majtës e djathtës për të gjetur një konsensus. Për të realizuar përfundimisht këtë proces ne kemi propozuar një institucion që varet nga Parlamenti, një komision me 5 anëtarë, kemi propozuar të ketë një sekretariat teknik dhe disa dhjetra arkivistë, sigurisht edhe me financa. Vërtet politika duhet të rrijë larg, po a duhet të kalojë ky ligj në Parlament?! A duhen financa për ta realizuar?!
A janë dosjet sepse zv. ministri i Brendshëm ka deklaruar që shumë dosje mungojnë?
Zv.ministri i Brendshëm tha që për kopjet e një pjese të dosjeve, për shkak të 1997-ës, mungonte fashikulli i Tiranës, ndërkohë që janë rreth 90% e dosjeve, por regjistri është i plotë i atyre që kanë qenë agjentë sigurimi. Ndërkohë që institucioni i SHISH sapo na konfirmoi se kopja e plotë e tyre është atje.
Do të ketë tryeza të tjera sepse kam përshtypjen do t’ju duhet punë për të bindur studentët e dhjetorit që janë aktivë në ditët e sotme për këtë analizë që bëtë për situatën dhe e dyta pse nuk ishte znj. Doda apo z.Idrizi pjesë e tryezës që u bë në 16 dhjetor?
Të gjitha kanë marrë një ftesë. Unë e kuptoj që shpesh të kap pjesa e egos personale, por politika është art kompromisi, nuk është art ‘jo dua timen’. Të duash tënden, të jetë antikushtetuese, të rrëzohet, për çfarë të vlejti egoja tënde?! Prandaj besoj se do kenë pjekurinë dhe të shohin përtej ndasive. Unë i dëgjova dhe argumentet: PD i thoshte deputetes së vet, që kishte një nismë dinjitoze për të djathën, ‘marionetë e Edi Ramës’. Nga ana tjetër, i thoshte kryetarit të grupit të vet ‘marionetë’ e Erion Veliajt dhe ti thua ‘vajmedet e djathta’. E djathta nuk bie dakord as me mënyrën si sheh komunizmin, që duhet të jetë baza për të qenë i djathtë.
REFORMA NE PENSIONE
A është shtyrë afati i kamatvonesave për pensionet në fshat?
S’ka pse të shtyhet, sepse ato janë falur. Treguam që jemi forca që ndërsa paratë jepeshin 3-4 herë në vit me vonesë, se paratë bëheshin rrush e kumbulla për zgjedhjet, ne treguam që i paguajmë në kohë dhe për më tepër, dhamë edhe një bonus.
Një shtet serioz vë një datë dhe pas kësaj, nis reformën, se ndryshe katandisemi tek një gjysmagjel. Ajo që na ka ndodhur është se impakti ka qënë tejet pozitiv, një pjesë e madhe e fermerëve i kanë paguar sigurimet. Janë derdhur 38 milionë USD shtesë kontribute, ku 1/3 ka ardhur nga fermerët. Nëse dikush nuk mund t’i paguajë sot, me shumë gjasë nuk mund t’i paguajë dot as nesër.
Sot kemi 5 mijë njerëz që nuk kanë bërë vitet e tyre minimale të punës dhe me sistemin e kaluar, ata sot marrin zero pension. Më mirë se zero, themi ne, është një pension social. Pra, ne po tregohemi transparentë. Kushti për të pasur pensione më të larta është që të paguajmë të gjithë dhe të paguajnë kontribute sa më të larta.
Jam shumë i ndërgjegjshëm që ndihma ekonomike duhet rritur, por, për ta rritur, duhet taksuar kur ne kemi një opozitë sot që kundërshton akcizën e cigareve.
Sa më shumë vite dhe sa më të vërtetë ta deklarosh rrogën, aq më shumë do paguhen. Më parë ihste krijuar një hapësirë, që nuk shpërblente njeriun korrekt. Ishte një pension tavan, që nuk lejonte më sipër. Nga kjo reformë për herë të parë ulet mosha e minatorëve dhe rritet ajo e politikanëve. Ne duhet t’u japim minatorëve një pension më dinjitoz dhe t’i nxjerrim pak më herët në pension.
Me të drejtë ju thoni se pensionet në fshat nuk janë paguar prej aq kohësh, me cfarë të drejtë mund të kërkojnë sot pension?! Për këdo që ka dyshime se s’do t’i marrë kurrë ato para nga pensioni, garantoj se kjo është farsë. 15 mijë lekë të vjetra në vit për këtë kohë të humbur që nuk janë paguar sigurimet, mendoj se nuk janë asgjë dhe shteti është treguar human. Është gjynah që ata që e kanë këtë mundësi, ta humbin, kur pë rata shperblimi mund të jetë më i mirë nesër.
LEJA E LINDJES
Si është e vërteta për lejet e lindjes, se gratë mendojnë se paga do të ulet…
Gratë nuk mund të frikësohen, sepse s’ka ndodhur ende. Por ndryshimi është se leja e detyrueshme e shtatzanisë është rritur nga 42 në 63 ditë. Ata që hapin këtë panik, nuk i zë meraku për gratë shtatzanë, se mund të vinin në parlament. Pra, e kemi shtyrë me 3 javë lejen, që të ndalojmë punëdhënësin ta detyrojë gruan të kthehet në punë.
Së dyti, kemi sjell një nivel emancipimi që kush e ka pagën më të lartë, burri apo gruaja, të vendosin të marrin lejen e lindjes. Mund ta ketë pagën më të lartë, burri, pra mund ta marrë ai lejen e lindjes.
Lidhur me pagesën në këtë periudhë, duhet thënë se ligji nuk e specifikonte, por zbatohej si kudo në botë: mbi pagën neto. Nëse Ola Bruko korruptonte një agjent pensionesh, merrte më shumë para në shtëpi sesa në punë, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta. Pra, këta agjentë që sot nuk janë pjesë e ISSH-së, abuzonin, duke spekulluar mbi pagën neto apo bruto dhe ne e specifikuam se mbi c‘bazë do bëheshin llogaritë.
MINIMUMI JETIK DHE PAGESAT E FATURAVE
Z.Veliaj, si mendoni se mund të paguajë faturat një familje me ndihmë ekonomike apo pak të ardhura?
Duhet të kuptojmë që të gjitha pjesët janë të lidhura me njera – tjetrën. Varfëria do të na shoqërojë në të gjithë tranzicionin. Varfëri ka dhe në Amerikë. Varfëria do të jetë problem. Apeli është që kush është i ri duhet të bëjë më shumë se 4 klasë shkollë, se partia nuk të garanton më punësimin. Në rastet ekstreme kur ka njërëz që nuk kanë bërë asnjë shkollë apo punë, patjetër, do t’i ndihmojë shteti, por brezi i ri duhet të investojë në arsimimin e vet.
Nuk është normale që një familje me ndihmë ekonomike, të ketë faturë dritash 2 milionë lekë. Unë vij nga një familje e rritur me zor dhe ne nuk dilnim nga shtëpia pa fikur të gjitha dritat dhe nuk ngroheshim me energji elektrike, kur kishte alternative të tjera. Patjetër që ka raste të rralla ndër ata që nuk kanë mundësi të paguajnë, por është mit se pensionistë dhe persona me paaftësi, paguajnë më shumë. Ka biznese që nuk paguajnë energjinë dhe paguajnë punonjësit me të zezë.
NUk është detyra e qeverisë qëndrore të merret me të gjithë të varfrit; bashkitë kanë një fond social. Kam dëgjuar një zëdhëënëse të PD-së që s’i gjithmonë ia fuste kot, duke pasur në krah kreun e njësisë vendore, ia kërkon këtë ministrisë. Në Tiranë ata janë në pushtet dhe 3% të fondit e kanë për ndihmë ekonomike. Bashkia ka mundësi t’i ndihmojë ata dhe thoshin fajin e ka Erion Veliaj.
Por, a keni shifra sa familje të vafra ka Shqipëria?
Ne kemi 88 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike. Ne mbështesim familjet em shumë fëmijë. Nëse duam të rritet ndihma ekonomike, duhet të rriten taksat, se s’kanë ku gjenden paratë.
Po ku do t’i marrë paratë familja e varfër?
Familjet e varfra marrim kompensim. Qeveria vetë do bëjë kompensim. Por duhet pasur e qartë se ndihma ekonomike që funksionon si dicka e përkohshme, sepse njerëzit duhet të gjejnë punë. Ne sot kemi vende të lira pune në fason dhe pë rata me 4 klasë shkollë. Nëse shoqëria është e emancipuar dhe më solidare, atëherë të pranojë të rrisim taksat për këtë kategori.
PUNËSIMI DHE ADOPTIMI I FEMIJEVE TE BRAKTISUR
Kur ishit në opozitë, pretenduat për 1 milionë të papunë dhe se s’kishin ku të regjistroheshin, po tani a janë aq?
Po, janë rritur të punësuarit dhe të papunët. Fakti që numri i tyre është rritur do të thotë se është kthyer besimi se aty mund të gjendet punë. Pra, kemi pasur popullsi inactive. Dhe si matet punësimi, mjafton të shohësh shifrat e kontributeve. Diferenca nga njeri vit në tjetrin ishte 81 352 persona. Nëse ne vazhdojmë me këtë ritëm të rritjes së punësimit, padyshim që 4 vitet e ardhshme do ta rrisim. Raporti është 1 me 3. një në tre persona gjejnë punën. Ata që vijnë nga emigracioni, nuk i bëjnë bisht asnjë pune. Fakti që njerëzit shkojnë në zyrat e punës shtë kompliment dhe jo problem. Tregon besim.
Po vitin e ri, ku keni ndërmend ta kaloni?
Mendoj se në institucionet e përkujdesit social. Kemi një staf shumë të përkushtuar të Shërbimit Social, që nuk njohin pushime e festa dhe i kalojnë ato pranë institucioneve të tilla. Ky ka qënë viti i parë kur cdo fëmijë I braktisur është adoptuar, ka shkuar në një shtëpi, në një familje. Ne na kushton rreth 400 euro që të mbajmë një fëmijë në një institucion, kështu që është më mirë të ndihmojmë një familje kujdestare ose të afërmit e tij, që ta ndihmojnë fëmijën dhe t’i ofrojnë dashuri.
(o.mitre/ar.sh/BalkanWeb)
