* Veliaj: Sa të drejtoj unë Tiranën, dhuna nuk do t’i imponohet ideve për transformimin e qytetit
* Prezantohet plani urbanistik për Tiranën, arkitekti Boeri: Qytetarët të përfshihen në vendimmarrje
TIRANE- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet i vendosur për të çuar përpara projektin për ndërtimin e një parku lojërash tek kodrat e Liqenit Artificial. Kryebashkiaku i është përgjigjur edhe akuzave të opozitës dhe shoqërisë civile, duke mohuar se pranë këndit të lojërave që do të ndërtojë Bashkia tek Kodrat e Liqenit do të ketë bar ose kafene.

“Unë do jap dorëheqjen më 1 qershor kur të inaugurohet parku i lojërave nëse do ketë bar apo kafene. Nëse aty do të pritet qoftë edhe një pemë unë prapë më 1 qershor nuk do të jep kryetari bashkisë së Tiranës”, theksoi Veliaj.

Duke u ndalur tek protestat e dy ditëve më parë, kundër këtij projekti, ku u shënuar përplasje mes protestuesve dhe policisë, Veliaj tha se për sa kohë ai do të drejtojë Tiranën, dhuna nuk do të mund të ndalojë realizimine ideve për transformimin e Tiranës.

“Dje pati skena që Tirana u mundua t’i harronte. Skena dhune, që nuk është një mënyrë sesi komunikohet sot. Sapo vij nga Anglia me lajme të mira, për të ndryshuar situatën në shkolla. Ky është një qytet me 92 shkolla, ku 87 janë me dy turne. Po këto ndryshime të nevojshme nuk i bëjmë dot me dhunë, por me komunikim. Ne nuk besojmë në një qytet autoritar, ku të gjithë duhet të mendojnë njësoj, por as te një pakicë e zhurmshme e dhunshme, që do t’ imponojë qytetarëve mendimin e vet. Këtu politika merr vendime që duhet t’i marrin arkitektët. Nuk ka si në komunizëm, ku nëse nuk pëlqehej një projekt, arkitekti shkonte në burg, psh Maks Velo; apo nuk i pëlqente një ide, edhe psh Ngjela shkonte në burg. Sot nuk është më kështu. Nëse sot Kamza do të ishte histori suksesi dhe ne do t’i çonim të afërmit për turizëm do të ndryshonte puna. Po të zbresësh në Tiranë dhe të pyesësh ku është liqeni dhe ku është targeti që do të shkatërrojmë, s’më duket normale. Ne do të vazhdojmë me parkun e lodrave për fëmijë. Ky qytet është i të gjithëve. Kemi bërë dëgjesa më të gjithë administratorët e Tiranës për buxhetin e Bashkisë. Dhuna nuk është argument. Sa të drejtoj unë Tiranën, dhuna nuk do t’i imponohet ideve për transformimin e qytetit”, tha Veliaj.

Veliaj tha se “po mundohemi që financat modeste të bashkisë t’i kompensojmë me fonde ndërkombëtare”. Po mundohemi që të bëjmë çdo gjë që pas 4 viteve të mos renditemi sërish kryeqytetit i parafundit më i keq për të jetuar në Europë”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë tha se ne duhet të ecim përpara dhe duhet të gjejmë mënyra si të komunikojmë me shoqërinë civile. “Dera ime është e hapur, me shumë prej tyre jam takuar disa herë për çështje të tjera, për parqe të tjera në Laprakë, etj. Më vjen keq që janë përdorur. I mirëkuptoj, jam i hapur të flasim por jo me dhunë. Jo në këtë kryeqytet evropian, që i ka të gjitha mundësitë që të jetë një histori suksesi”, u shpreh ai.

Duke folur për taksat, pas protestës së biznesit të vogël sot para Bashkisë, Veliaj tha se taksa 50 lekë për çdo tavolinë që zë hapësirën publike është e arsyeshme.

“Hapësirat publike janë të të gjithë qytetarëve të Tiranës. 50 lekë për një tavolinë që bllokon një rrugë kalimi ku kalon një nënë me karrocë me fëmijë, një i moshuar. Në Tiranë ka 10 mijë kafene. Bashkia e Tiranës në një turn ka 100 policë në bashki, si mund të bëhen zap 10 mijë kafenetë e Tiranës? Është e pamundur. Ndaj iu kemi thënë, hapësira publike është pronë e qytetit. Ajo tarifë që ju përmenda është tarifë vetëm në një zonë A. Nëse tavolina jote nuk nxjerr as 50 lekë, liroje”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë iu është përgjigjur edhe ndërtuesve. “Nëse ndërtuesit ankohen për taksat e ndërtimit, iu them se është e ulët. Janë më të ulëta se në Shkup, më të ulëta se në Podgoricë. Ata që zënë trotuarin, duhet të paguajnë 50 lekë për tavolinë. Nëse nuk i nxjerr 50 lekë për tavolinë, atëherë të na i lirojnë”, theksoi kreu i Bashkisë.

PREZANTOHET PLANI URBANISTIK PËR TIRANËN, ARKITEKTI BOERI: QYTETARËT TË PËRFSHIHEN NË VENDIMMARRJE
Është prezantuar ditën e sotme në detaje, plani urbanistik për Tiranën. Duke folur për pikat kryesore ku fokusohet plani, arkitekti i projektit Stefano Boeri, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve. Boeri u shpreh se në vendimmarrje duhet të përshihen edhe qytetarët e Tiranës, duke dhënë mendimin e tyre, por edhe duke bërë vlerësimet për punën e bërë.

Sipas arkitektit të projektit, është me rëndësi që plani i ri urbanistik i Tiranës, të përfshijë elementë të biodiversitetit, si dhe të pasqyrohet integrimi kulturor e fetar.

“Kemi një atlas që tregon projektin. Pjesa e biodiverstitet përfshin shumëllojshmërinë e kulturave, bimësinë, vegjetacionin. Ne nuk mund të braktisim trashëgiminë e qytetit, dhe ta pasqyrojmë atë. Mendoj se ne duhet të punojmë që ta bëjmë Tiranën sipas standardeve të dëshiruara në sajë të kapaciteteve që ka. Për këtë kërkohet edhe përfshirja e qytetarëve, qoftë edhe në marrjen e vendimeve, qoftë edhe për shprehjen e vlerësimeve. Qyteti është një mjedis që prodhon kultura, dhe është pjesë e ekonomisë së qyetit. Dhe kjo duhet marrë parasysh edhe gjatë procesit të transformimit të qytetit”, u shpreh arkitekti Boeri gjatë prezantimit të projektit për Tiranën.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb