TIRANË- Avokati i Popullit i ka dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi dhe Prokurorit të Rrethit të Kavajës rekomandime për rastin e dhunës së ushtruar nga policia ndaj një të riu. Totozani i kërkon Didit, marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli.
“Rekomandojmë analizimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli për keqtrajtimin fizik të shtetasit Brian Kollçaku”, thuhet në letrën e AP.

Ndërsa Prokurorit të rrethit Artan Madani, Avokati i Popullit i rekomandon kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme.

“Rekomandojmë Kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme për rastin e keqtrajtimit fizik të shtetasit Brian Kollçaku nga disa punonjës të policisë Kavajë, shefi i rendit Nenkomisar Pajtim Muhaj, inspektorit Ismail Beu,inspector Fatmir Baltori dhe K/inspektor Rasim Dakavelli për kryerjen e veprës penale të veprimeve arbitrare parashikuar nga nenet 250 e 25 të K.Penal”.

Në videon e publikuar nga BalkanWeb, shihej qartë se si punonjësit e policisë qëllonin me shqelma në pjesën e sipërme të trupit dhe fytyrë një të ri.

“Rekomandojmë analizimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli për keqtrajtimin fizik të shtetasit Brian Kollçaku”.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar me iniciativë rastin e bërë publik ditët e fundit në median vizive ku rezulton që një punonjës policie i Komisariatit të Policisë Kavajë ka goditur disa herë me shqelm në fytyrë një shtetas i cili ishte duke u shoqëruar prej krahësh nga dy punonjës të tjerë policie.
Në datën 23.02.2015 nga punonjësit e institucionit tonë janë kryer verifikime dhe hetime administrative në vend në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe të publikuar në një videon private dhe të transmetuar në TV 24 NEË.
Nga verifikimet e kryera në Komisariatin e Policisë Kavajë u informuam se, shtetasi i keqtrajtuar nga punonjësit e policisë në këtë rast dhe pikërisht në datën 19.02.2015 quhet Brian Kollçaku. Ky shtetas është banor i qytetit Kavajë dhe ka qenë person në kërkim nga policia, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së pronës në bashkëpunim, të mbetur në tentative, parashikuar nga neni 134/2 e 22 të Kodit Penal. Shërbimet e Policisë së Komisariatit Policisë Kavajë, kanë organizuar disa punonjës policie për gjetjen e tij, mbajtjen nën kontroll dhe kapjen në një moment të përshtatshëm me qëllim kryerjen e veprimeve procedurale dhe vënien para përgjegjësisë penale konform ligjit.
Me datën 19.02.2015, rreth orës 11.30’, punonjësit e policisë e kanë zbuluar vendin e ndodhjes së këtij personi dhe kanë marrë masa për kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë. Shtetasi Brian Kollçaku ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Benz” me ngjyrë të zezë dhe e ka kuptuar se ai po ndiqej për t’u kapur nga policia. Për t’i shpëtuar policisë ai ka tentuar të largohet dhe t’u shmanget forcave policore dhe gjatë ecjes së tij indietro ka goditur një nga makinat private të punonjësve të policisë. Në këtë moment kanë ndërhyrë dy nga punonjësit e policisë duke e kapur atë me forcë prej krahësh me qëllim shoqërimin e tij në Komisariatin e Policisë. Shtetasi në fjalë nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar me forcë të largohet prej tyre.
Në ndihmë të punonjësve të policisë ka shkuar edhe shefi i sektorit të rendit Nënkomisar Pajtim Muhaj, i cili ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke e goditur shtetasin Brian Kollçaku disa herë me shqelm në fytyrë, moment ky që është filmuar nga një video private. Pasi është shoqëruar forcërisht në komisariat, shtetasi Brian Kollçaku është ndaluar në dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe materialet përkatëse i janë referuar organit të Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në rastin konkret shtetasi Brian Kollçaku është ndaluar nga organet e policisë si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së pronës në bashkëpunim të mbetur në tentativë, në bazë të nenit 134/2 dhe 22 të K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me vendimin e datës 22.02.2015 ka vendosur të vlerësojë të ligjshëm ndalimin e shtetasit Barian Kollçaku për veprat penale të parashikuara në bazë të neneve 134/2 e 22 dhe 242 të K.Penal dhe ka caktuar ndaj tij si masë sigurimi atë të detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore 1 herë në muaj, dhe lirimin e menjëhershëm të tij nga dhomat e sigurisë së Komisariatit të Policisë Kavajë.

Ne konstatojmë se veprimi i kryer nga punonjësi i policisë Pajtim Muhaj ndaj shtetasit Brian Kollçaku duke e goditur me shqelma në fytyrë nuk është në përputhje me rregullat e parashikuara në aktet normative në fuqi të cilat rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit”, thuhet në rekomandimet e Avokatit të Popullit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb