VLORE – Qindra qytetarë janë dyndur mesditën e sotme në Portin e Vlorës dhe kanë vazhduar të qëndrojnë atje edhe në mbrëmje, me synimin për t’u nisur nga Italia drejt Gjermanisë për të kërkuar azil. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se policia ka bllokuar disa autobusë me qytetarë, të cilët e thonë hapur se kanë prerë biletat dhe synojnë të shkojnë në Gjermani për të përfituar azil.Policia ka marrë në pyetje, pronarët e agjensive turistike pasi dyshon për një mashtrim.
ORA 16:50 Në portin e Vlorës vazhdojnë ende të qëndrojnë qindra qytetarë në pritje për t’u nisur drejt Italisë me traget. Sipas gazetarit Enrik Mehmeti, trageti është vonuar 4 orë, por mendohet se edhe për 3 orë të tjera ai nuk ka për t’u nisur, pasi Policia dhe krerët më të lartë të saj janë duke kontrolluar një për një, dokumentat e qytetarëve të dyndur në port, pjesa më e madhe e të cilëve me synim Gjermaninë, për të kërkuar azil.
ORA 14:00 Pronari i agjencisë që transportoi këta udhëtarë, Agim Muça deklaron se qytetarët janë këshilluar të mos kërkojnë azil në vende të BE-së. “Ne jemi të rregullt me kompaninë tonë. Është një transport i rregullt, paguajmë taksat.”- deklaroi Muça. Ndërkohë, Policia ka nisur verifikimin e fakteve, pasi dyshohet për një skemë mashtrimi.
MPB: ÇDO PËRPJEKJE PËR TË KËRKUAR AZIL NË MËNYRË ABUZIVE, E PAPRANUESHME
Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.
MPB bën të ditur se “Policia e Kufirit e mbështetur edhe nga strukturat e tjera të Policisë së Shtetit po punon ditët e fundit me regjim të përforcuar për të përballuar fluksin e lëvizjes në Pikat e Kalimit Kufitar me rastin e festave të fundvitit. Në këtë kontekst Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron të gjithë qytetarët se do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon angazhimin e saj për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende. Të gjithë qytetarët që nuk do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji nuk do të lejohen të dalin nga kufiri i vendit”.
(er.nu/BalkanWeb)
