TIRANE– Në zgjedhjet vendore të vitit 2019 është propozuar zbatimi i një projekti pilot në disa prej bashkive të vendit, në mënyrë që të testohet votimi elektronik. Më pas kjo mënyrë votimi, do të mund të implementohet në shkallë vendi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këtë e ka shprehur deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”. Teksa ka komentuar ecurinë me realizimin e Reformës zgjedhore, ai tha se me votimin elektronik do të shmanget blerja apo vjedhja e votës, manipulimi i zgjedhjeve, apo standarde të tjera të cilat janë shkelur deri më tani.

“PD ka kërkuar votimin elektronik dhe identifikimin bio-elektronik të votuesve që në 2016. Qëndrimi ynë është se ne duhet të kemi një identifikim bio-elektronik përmes shenjës së gishtave, dhe komisionerët nuk do të mund të mbushin kutitë me vota false. Edhe votimi elektronik do të bëjë të mundur që rezultati të shihet në mënyrë reale. Pa ndryshuar thelbësisht procesin e votimit, do të jetë thjesht letra dhe elektronika ajo që do të ndryshojë. Pra zgjedhësit do të votojnë elektronik, dhe vota nuk do të shkojë në një kuti votimi, por në një pajisje elektronike.

Ne kemi rënë dakord që për 2019 të jetë një projekt pilot, në disa prej bashkive, dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të implementohet në shkallë totale. Kjo ishte kërkesë e ndërkombëtarëve. Duhet të themi se zgjidhjet elektronike sot janë të mundshme, por na duhet të ecim me hapa të kujdesshme. Brenda korrikut Parlamenti do të ketë hartuar rregullat e ashpra për garantimin e votimit elektronik”, tha Bylykbashi.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit europian, deputeti i PD tha se BE do t’i kërkojë Shqipërisë si kusht për negociatat, realizimin e Reformës Zgjedhore.

“Reforma Zgjedhore ka nisur me ngritjen e komisionit, që me fillimin e kësaj legjislature. Kërkesa për realizimin e saj është për autoritetet shtetërore, dhe jo për opozitën. Në 5 vite kjo mazhorancë nuk e zbatoi. Shqipëria, si të gjitha vendet e BE, duhet të zbatojë rekomandimet. Mbas vitit 2012, nuk ka më reforma, me përjashtim pak ndryshime që u bënë në vitin 2017, pas marrëveshjes PD-PS. Pra realisht reformë zgjedhore nuk ka patur. Së pari dua të them se nuk jam i kënaqur me rezultatet, do të kisha dashur ritëm më të lartë.

BE do t’i japë kusht Shqipërisë realizimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2018. Kemi rënë dakord si komision për 6 çështje kryesore, siç është blerja e votës, votimi elektronik, numërimi, për financimin, mediat, etj. Ne po marrim eksperiencën më të mirë nga OSBE/ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias. Ne do të kemi një votim së shpejti për çështjen e emigrantëve, për mediat, e më pas me çështjet e tjera. Ne po pjekim qëndrimet tona politike në lidhje me këtë çështje, por ia kemi lënë ndërkombëtarëve gjykimin. Do kisha dashur të ecet me ritëm tjetër, dhe mund të ishte bërë shumë më shumë”, tha ai.

(BalkanWeb)