Nga Kastriot ISLAMI
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kanë nxjerrë në pah një seri dukurishë negative me pasoja të rrezikshme i) për të ardhmen e demokracisë, ii) për stabilitetin politik, ekonomik e social të vendit pavarësisht se partnerët kanë vendosur në plan të parë stabilokracinë ndaj demokracisë dhe iii) abandonimin/braktisjen e vendit nga qytetarët të cilët kanë demostruar se shikojnë si të vetmen zgjidhje për ndryshimin e të ardhmes së fëmijve të tyre emigrimin. Rreth 9 % e zgjedhësve ose 143 mijë votues me shume se ne 2013 i kanë braktisur zgjedhjet/politikën/partitë politike. Ndërkohë që partia kryesore qeverisëse është “rrudhur” për shkak të keqqeverisjes të lidhur me korrupsionin, krimin e narkotrafiqet, opozita është “rrudhur” gati 9 herë më shumë se qeverisja, si pasojë e një strategjie të qeverisjes autoritare për të eleminuar opozitën dhe cdo kundërshtar politik por edhe sepse zgjedhësit s’e konsiderojnë ende opozitën një alternativë shprese apo alternimi të gjëndjes së padurueshme të krijuar nga qeverisja. Thënë ndryshe, zgjedhësit s’e durojnë dot qeverinë por s’e shohin ende opozitën si zgjidhje, ndërkohë që e vetmja zgjidhje për ta, për momentin e ndoshta edhe për ca kohë, mbetet fatekeqesisht vetëm emigrimi. Edhe partnerët ndërkombëtarë s’i shikojnë më si burim shprese, përderisa ata mbështesin stabilokracinë ndaj demokracisë apo mbyllin sytë përballë korrupsionit qeveritar, krimit të lidhur me kupolën e shtetit dhe narkotrafiqeve të drejtuara nga qeveria.
1. Më shumë se 1 në 4-5 shqiptarë ka braktisur politikën…
Nga analiza e votave të vlefshme në zgjedhjet e 2017 e ato të 2013, rezulton se pjesëmarrja në zgjedhje është ulur me rreth 143 mijë votues në 2017 krahasuar me 2013, ose me rreth 9 %. Ndërkohë po të analizohen të dhënat e Instat për popullsinë e grumpmoshave 18-22 vjec si dhe shtesën e popullsisë (diferencën mes lindjeve e vdekjeve) rezulton se në listën e zgjedhësve të 2017 duhet të kishte një shtesë prej rreth 230 mijë qytetarë me moshë 18-22 vjec që s’kishin votuar në 2013 sepse në datën e votimit s’kishin mbushur moshën 18 vjec. Pra shifrës prej 143 mijë do të duhet ti shtohej edhe shifra 230 mijë që do të thotë se zgjedhjet i kanë braktisur rreth 370 mijë votues me shume ne 2017 sesa ne 2013, të cilët i) ose kanë emigruar gjatë periudhës 2013-2017; ii) ose për arsye të ndryshme s’kanë marrë pjesë në zgjedhje. Kjo do të thotë se rreth 1 në 4-5 shqiptarë kanë braktisur zgjedhjet ose ndryshe një person në cdo familje i ka braktisur ato me shume ne 2017 sesa ne 2013.
2. “Rrudhja” e lehtë e Etiketës PS në shkallë kombëtare…
Në “etiketën PS”, në zgjedhjet e 2017, janë përfshirë PS dhe të gjithë aleatët e saj të 2013, përvec 7 partive – PKSH, AAK, PDS, PKDSH, LSI, PADSH dhe PSD. Këto 7 parti të “pabindura” ndaj urdhërit të PS për të mos konkuruar më vete dhe nxitur votuesit e tyre të votojnë për “etiketën PS”, grumbulluan në 2017 së bashku 247932 vota, ndërkohë që në 2013 po këto 7 parti kishin grumbulluar së bashku 215955 vota. Pra në 2017 këto parti arritën të grumbullonin 31977 vota më shumë se në 2013. Në votat e “Etiketës PS” të 2017 përfshihen votat e vetë PS por edhe të 30 partive të tjera (në 2013 ASHE ishte një koalicion i 37 partive) që ishin aleate të PS në 2013 dhe në 2017 iu bindën urdhërit të PSSH që ata të mos konkuronin si parti më vete por votuesit e tyre të votonin për “Etiketën PS”. Këto 30 parti mund të konsiderohen “aleatët besnike” të PS të cilat duke pranuar të “shkrihen” me PS kanë formuar “Etiketën PS”. Nga të dhënat rezulton se “Etiketa PS” në 2017 grumbulloi 764750 vota.
3. Është “rrudhur” PS apo aleatët e saj “besnikë”?
Nga llogaritjet del se “etiketa PS” në 2013 do të kishte “grumbulluar 777949, ku do të përfshiheshin 713407 votat e PS dhe votat e 30 aleatëve “besnikë”, që rezultojnë nga llogaritjet të jenë 64542 vota. Përmbledhtas mund të thuhet se “Etiketa PS” në 2013 ka grumbulluar në 777949 vota dhe në 2017 ka grumbulluar 764750 vota, ndërkohë që 30 aleatët besnikë të PS në 2013 kanë grumbulluar 64542 vota. Duke zotëruar shifrat e “grumbulluara” nga ‘Etiketa PS” në 2013 e 2017 mund të vërehet se “Etiketa PS” është rrudhur në 2017, nga 777949 vota në 2013 në 764750 vota në 2017, pra është rrudhur me 13199 vota ose me 1,7 përqind. Përfundimi i parë i rëndësishëm eshtë evident: “Etiketa PS” që ka garantuar e vetme “timonin/tepsinë” e pushtetit është “rrudhur” në 2017 krahasuar me 2013. Përgjigjia e pyetjes se nëse është rrudhur PS apo nëse votuesit e aleatëve të saj kanë kontribuar më pak në 2017 sesa në 2013 mbetet për tu investiguar në mënyrë më të thelluar. Apriori mund të thuhet se është e vërtetë një nga tri hipotezat” i) ose është “rrudhur” PS si forcë politike, ii) ose janë rrudhur aleatët e saj “besnikë”, ose iii) është rrudhur edhe PS edhe aleatët “besnikë”.
4. “Fryrjet” e konsiderueshme të aleatëve qeveritarë të PS…
Ndërkohë që “Etiketa PS” është rrudhur, aleatët e saj bashkëqeverisës në periudhën 2013-2017, LSI, PDIU dhe PSD janë “fryrë” në shkallë kombëtare në 2017 krahasuar me 2013, ndonëse në mandate janë rrudhur në 2017 krahasuar me 2013. Konkretisht LSI është “fryrë” me 45431 vota ose me 25 %, PDIU me 31112 vota ose me 69 % dhe PSD me 4773 vota ose 47 %. Të treja së bashku janë fryrë me 81316 vota ose rreth 35 %. Një përfundim tjetër, në dukje paradoksal është: aleatët e PS gjatë qeverisjes 2013-2017, pasi janë “përzënë” nga PS gjatë fushatës elektorale të 2017, kanë mundur të “fryhen” në mënyrë të ndjeshme, por për shkak të formulës së llogaritjes së mandateve ato janë “rrudhur” në mandate. Nga analiza e të dhënave rezulton se “rrudhja” e lehtë e PS dhe “fryrja” e konsiderueshme e aleatëve të saj qeveritarë, LSI, PDIU e PSD kanë ardhur pjesërisht në kurriz të opozitës e pjesërisht në kurriz të PS për shkak të betejës së ashpër politike, mes PS dhe LSI e PDIU që PS tentoi ti eleminonte/reduktonte në zgjedhjet 2017.
5. “Rrudhja” e pjesëmarrjes apo braktisja e politikës…
Në zgjedhjet e 2017 numri i votave të vlefshme rezulton 1582150, ndërkohë që kjo shifër në zgjedhjet e 2017 ishte 174779, pra pjesëmarrja rezulton e “rrudhur” me rreth 143 mijë vota. Thënë ndryshe, zgjedhësit shqiptarë, të zhgënjyer dhe të pashpresë nga politika, i kanë braktisur partitë politike. Një përfundim shqetësues, por që është prezent pothuajse kudo, përfshi edhe demokracitë solide është: braktisja e partive politike apo politikës në përgjithsi ka qënë relativisht e lartë, 1 në cdo 4 zgjedhës. Shtrohet pyetje: përse ka ndodhur kjo braktisje në Shqipëri? Nga të dhënat rezulton se në shifrën e braktisjes, qeveria ka kontribuar një herë dhe opozita nëntë herë ose thënë ndryshe, PS është ndëshkuar një herë kurse opozita është ndëshkuar 9 herë. Arsye për të shpjeguar këtë raport të zhdrejtë do të ishin: i) nga njëra anë, qeveria ka marrë masa për të frenuar apo penguar rrudhjen e saj përmes blerjes së votës dhe kërcënimit të votuesve kundërshtarë duke maskuar kështu braktisjen që votuesit e saj i kanë bërë asaj dhe ii) nga ana tjetër, votuesit e opozitës nën presionin e qeverisjes dhe diskriminimin selektiv kanë gjetur si shpëtim emigrimin masiv apo kanë brakstisur zgjedhjet nga joshja apo kërcënimi i qeverisë. Tre janë mënyrat që votuesit shqiptarë kanë abandonuar/braktisur politikën: i) duke emigruar(kryesisht votues të opozitës), ii) duke abandonuar zgjedhjet për shkak të zhgënjimit dhe mungesës së shpresës(votues edhe të qeverisë edhe të opozitës, por më shumë të opozitës) dhe iii) duke mos marrë pjesë në zgjedhje nën kërcënimin apo joshjen e parave të korrupsionit, krimit dhe drogës(votues vetëm të opozitës).
6. “Rrudhja” e PD kryesisht për shkak të braktisjes së zgjedhjeve….
“Etiketa PD” në zgjedhjet e 2017 grumbulloi 456413 vota, kurse në zgjedhjet e 2013 llogaritet të ketë grumbulluar 578863 vota, pra kjo etiketë rezulton e “rrudhur” me rreth 123 mijë vota ose me rreth 27 %. Kjo do të thotë ndryshe se nga votuesit opozitarë që kishin votuar në 2013, më shumë se e një e katërta apo gati një e treta, e kanë “braktisur” opozitën. Pjesa më e madhe (mbi 80-85 %) e atyre që kanë “braktisur” zgjedhjet/politikën janë votues të opozitës. Zhgënjmi nga qeverisja dhe braktisja e opozitës janë dy dukuri që do të conin vëndin drej rrënimit demokratik, politik, ekonomik e social dhe shqiptarët drejt emigrimit. Po ashtu, braktisja e opozitës nga zgjedhësit apo rrudhja e vazhdueshme e saj, nga njëra palë zgjedhjesh në tjetrën, do të kishte edhe një efekt tjetër shumë negativ: do të “rrudhte” vazhdimisht opozitën, do të bënte marrdhënien maxhorancë-opozitë asimetrike dhe për rrjedhojë do ta bënte të pamundur alternimin e pushtetit duke cuar më siguri ose në destabilitet ose në rregjim autoritar ekstrem.
7. Lindja e forcave të reja politike ende dukuri dëshpëruese dhe e pashpresë…
Dy forcat e reja politike, LIBRA e SFIDA kanë tentuar të futen në politikë kur rreth 10 % e zgjedhësve kanë braktisur politikën. Asnjëra prej tyre s’ka mundur të fitojë mandat parlamentar. LIBRA grumbulloi rreth 20 mijë vota ose 1,25 % të votave në shkallë kombëtare. SFIDA grumbulloi vetëm 3546 vota ose 0,22 % të votave. Pra të gjithë forcat e reja politike në zgjedhjet e 2017 s’kanë mundur të grumbullojnë më shumë se 1,5 % të votave, ndërkohë që zgjedhjet i kanë braktisur rreth 143 mijë votues ose 9 %. Ky është një përfundim tjetër dëshpërues: zgjedhësit shqiptarë të pashpresë, preferojnë të emigrojnë apo të braktisin zgjedhjet sesa të angazhohen në ndryshimin e situatës së rëndë, morale, politike, ekonomike e sociale të vendit përmes mbështetjes së forcave të reja politike. Pra lindja e forcave të reja s’ka mundur të kthehet në një valvul shfryrjeje e mungesës së shpresës dhe dëshpërimit, për shkak i) të betejës së ashpër politike, ii) të sjelljes armiqsore të qeverisë ndaj kundërshtarëve dhe iii) të një konservatorizmi të votuesve që preferojnë stanjacionin në vend të ndryshimit apo të mosbesimit të tyre ekstrem.
8. Roli i partnerëve ndërkombëtar: ”stabilokracia prioritare ndaj demokracisë”
Arsyet e dëshpërimit të qytetarëve shqiptarë janë kryesisht të brëndshme, por edhe qëndrimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj të cilëve shqiptarët kanë pasur pritshmëri të lartë ka pasur ndikimin e vet. Qytetarët shqiptarë në masën rreth 60 % duan të braktisin vendin për shkak të keqqeverisjes nga maxhoranca dhe dobësisë/paaftësisë së opozitës për të ndryshuar gjëndjen. Por ata ndjejnë gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë nuk janë më burim shprese për ta sepse i) ose kanë heshtur përballë korrupsionit të pashëmbullt qeveritar për të mos thënë që ndonjë prej tyre mund të jetë edhe ndotur nga paratë e korrupsionit të qeverisjes; ii) ose kanë mbyllur sytë ndaj kultivimit masiv të kanabisit që e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në Europë për prodhimin dhe trafikimin e nakrotrafikëve, iii) ose kanë dështuar përballë rrezistencës së qeverisë për të mbrojtur individët me rekorde kriminale e banditët që kanë kanë kapur kupolën e shtetit ose iv) kanë heshtur ndaj të gjithë skemës së blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve që cuan në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor në 2015, në zgjedhjet e pjesshme dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Mesa duket, ndryshe nga pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, e ndoshta edhe për shkak të naivitetit të tyre, po rezulton se tek shumë përfaqsues të disa vëndeve të rëndësishme partnere mbizotëron arsyetimi se “stabilokracia është prioritare ndaj demokracisë” jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë vëndet e rajonit dhe se “demokracia është një bimë vështirësisht e rritshme e që kërkon shumë kohë në këtë zonë”, duke preferuar të mbështetesin qeverisjet autoritare-oligarkike e të korruptuara apo strongman të Ballkanit për të mbajtur brënda “rrethit sanitar” qytetarët e tyre. Kaq!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: