Kreu i Kuvendit, Ilir Meta do të niset nesër drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të 45-të të SHBA-ve, Donald Trump.

Lajmi është konfirmuar për “BalkanWeb” nga burime shumë të sigurta pranë Metës, të cilat bëjnë me dije se: “Po është e vërtetë, nesër kryetari i Kuvendit do të niset për një vizitë në SHBA. Qëllimi i kësaj vizite është ftesa e mbërritur në adresë të Kreut të LSI-së, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të 45-të të SHBA-së, Donald Trump”, – pohuan burimet për “BalkanWeb”.

Ilir Meta do të kryesojë të tretin delegacion shqiptar që do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Kjo për shkak se në Uashington në 20 Janar do të jenë edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetari i PR-së Fatmir Mediu dhe dy deputetët socialistë, Ervin Bushati dhe Blendi Klosi, njëherazi ministër i Mirëqenies Sociale.

Bie në sy fakti që jashtë këtij eventi është lënë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në adresë të të cilit nuk ka shkuar asnjë ftesë për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb