SHKODËR-Gjykata e Shkodrës ka rrëzuar sot kërkesën për pezullimin e efektivit të policisë Gjergj Dodani, i cili akuzohet se ka sulmuar vëllain e kandidatit të PD-së për Vaun e Dejës.
Pak ditë më parë Edi Paloka në emër të Partisë Demokratike denoncoi sulmin e bërë ndaj vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Vaut të Dejës, në Shkodër. Fred Hila deklaroi se është sulmuar me armë ndërsa udhëtonte me makinë nga një polic i zonës, ndërsa Paloka tha se kjo s’është gjë tjetër veçse implikimi i policisë në fushatën e qeverisë. Sipas tij, qeveria po e përdor policinë për dhunë e presione.
Ministria e Brendshme reagoi ndaj deklaratave të Selisë Blu. Një një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme shprehet punonjësi i Policisë i akuzuar, Gjergj Dodani është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria.
“Në qoftë se z. Paloka ka interes të dijë të vërtetën lidhur me çfarë ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit lidhur me incidentin të cilit i referohet, në kryerjen e detyrës së tij si shpifës profesionist, mjafton që Partia Demokratike të informohet nga kandidati i saj. Me kandidatin jo vetëm Ministri i Punëve të Brendshme, por edhe vetë Kryeministri kanë qenë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, për të dëgjuar versionin e tij për ngjarjen, si edhe për ta informuar mbi veprimet e menjëhershme të ndërmarra për zbardhjen e plotë të incidentit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më tej MPB sqaron se polici i shoqëruar është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve dhe nëse rezulton fajtor do të marrë ndëshkimin sipas ligjit, ndërsa i kujton PD¬-së situatën në të cilën qeverisja e saj e kishte lënë Policinë e Shtetit.
(a.n/BalkanWeb)
