5 vite me “Koko Fest”. Korça do të jetë në festë përgjatë ditëve të festivalit nga data 1-8 shtator. Artistët më të mirë të të gjithë trevave shqiptare, jo vetëm të humorit, mblidhen në festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë.

Teatri i Shkodrës, i Fierit, i Vlorës, i Durrësit, Gjirokastrës, Korçës pa dyshim dhe trupa të tjera që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë qenë pjesë konkurruese e këtij festivali, vit pas viti. Këtë vit, do të shfaqen 8 premiera. Risitë e këtij edicioni të festivalit të komedisë, i zbulon për News 24 , Zamira Kita, drejtoreshë e Teatrit “Andon Zako Cajupi”, në Korçë.

Në natën e tretë të “Koko fest”, Teatri i Korçës do të sjellë një premierë të re që po punohet nga regjisori Guri Koço. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros. Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmës e regjisë së Ilir Bokshit. Në finalen e “Koko Fest”, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos.

Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Guljem Radoja, dhe anëtarët e jurisë, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Adem Karaga nga Maqedonia dhe Enver Petrovci nga Kosova do të jenë pjesë e këtij edicioni të pestë, bashkë me të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë festival , të cilët do ta ndjekin “Koko Festin” në të gjitha ditët e tij. Publiku gjithashtu, e ndjek më kërshëri, por edhe shumë turistë e vizitojnë Korçën gjatë ditëve të festivalit.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb