Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit britanik Nigel Farage në lidhje me deklaratën e tij se 1 në 48 shqiptar ndodhet në burgjet britanike. kur më parë kishte pretenduar se kjo shifër ishte 1/50 dhe duke kërkuar deportimin e shqiptarëve.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shkruan se sërish shifrat nuk janë të sakta, madje i ka kujtuar britanikut se shifrat nuk janë pika e tij e fortë, ndërsa i ka kuptuar një shprehje të gjyshes së tij të ndjerë, se “këmbëngulja në gabim është diabolike”.

“Ne kemi qëndruar krah për krah me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në uljen dramatike të migracionit të paligjshëm dhe në goditjen e krimit. Numrat realë e vërtetojnë këtë dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar”? Ky nuk është fakt – kjo quhet iluzion pas Brexit-it. Pres me padurim t’ju mirëpres në Shqipëri siç u premtua, për të ndarë shumë diell të mrekullueshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte reale”, shkruan kreu i qeverisë.

Postimi i plotë:

I nderuar z. Nigel Farage,

Gjyshja ime katolike, Zoti e mëshiroftë, më kujtonte shpesh një proverbë latine: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum.” Që e përkthyer do të ishte: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Ndaj, në vend që të shqetësoni Sekretaren e Brendshme, e cila ka më se mjaftueshëm përgjegjësi, ndoshta do të ishte më e udhës të më njoftoni mua se kur mund t’ju pres në Tiranë si i ftuar nderi. Sepse, i dashur Nigel duket se numrat nuk janë pika juaj e fortë ndaj le t’i bëjmë gjërat të qarta: JU HUMBËT.

“Censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh. Por të qëndrojmë tek burimi juaj: The Telegraph, i cili i pari shpalli teorinë e “një në 50” dhe më pas pranoi vetë:

“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk përfshin migrantët e paligjshëm, përfshirë mbi 12,000 që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhen në burg.”

Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit?

Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.

Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.

Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit.

Pres me kënaqësi të ju mirëpres në Shqipëri, siç është premtuar, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta. 🇦🇱❤️🇬🇧

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb