Sot, më 1 prill, në shumë vende të botës shënohet Dita e Gënjeshtrave, një ditë e njohur për shakatë dhe mashtrimet e padëmshme mes miqsh, familjarësh apo kolegësh. Por si nisi ky zakon i përhapur globalisht?

Origjina e kësaj dite mbetet e paqartë, ndërsa historianët përmendin disa versione të ndryshme. Një prej tyre e lidh fillimin e traditës me Keltët, popuj të Evropës veriperëndimore të njohur për aftësitë e tyre në peshkim. Sipas kësaj teorie, sezoni i peshkimit nis në fillim të prillit, por kushtet e pafavorshme bënin që kapjet të ishin të dobëta. Për të shmangur turpin, peshkatarët ekzagjeronin apo gënjenin për rezultatet e tyre, duke krijuar kështu një zakon që u trashëgua ndër breza.

Një tjetër version, më i dokumentuar historikisht, e vendos zanafillën në Francë gjatë shekullit të 16-të. Në vitin 1564, gjatë sundimit të Charles IX, u vendos që Viti i Ri të festohej më 1 janar dhe jo më 1 prill. Megjithatë, disa qytetarë vazhduan të festonin sipas kalendarit të vjetër. Për t’i tallur, të tjerët u dërgonin dhurata të rreme apo ftesa mashtruese, duke krijuar kështu traditën që më vonë u kthye në Ditën e Gënjeshtrave.

Kjo traditë është përhapur ndër vite edhe në vende të tjera, duke marrë forma të ndryshme. Në disa zona besohet se ai që arrin të mashtrojë dikë do të ketë fat gjatë gjithë vitit, ndërsa në zona të tjera mendohet se “viktima” e shakasë do të përballet me një vit më pak të mbarë.

Edhe sot, pavarësisht ndryshimeve kulturore, Dita e Gënjeshtrave mbetet një moment argëtues që bashkon njerëzit përmes humorit dhe shakave të padëmshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb