NGA AURORA KOROMANI*

TIRANE-Nëse shteti nuk kap autorët, të paktën të më tregojë arsyet se përse e vranë djalin tim”. Kështu shprehet Gëzim Doçi, babai i Elvis Doçit, i cili tetorin e vitit të kaluar u vra në një atentat pranë hyrjes së Komunës së Parisit në kryeqytet. Në një intervistë të shkurtër për “Gazeta Shqiptare”, ai kërkon që shteti shqiptar të kapë autorët e vrasjes së djalit të tij ose, në rastin më të keq, të paktën t’u tregojë familjarëve të tij shkaqet që çuan në vrasjen e Elvisit. 35-vjeçari u qëllua për vdekje në 24 tetor të vitit të kaluar, ndërsa u plagos edhe kushëriri i tij, teksa udhëtonin të dy me të njëjtën makinë.

Ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja e djalit tuaj; çfarë ju kanë thënë gjatë kësaj periudhe?
Ka kaluar shumë kohë dhe askush nuk na thotë se çfarë u bë me djalin tim. Ne si familja e tij nuk kemi asnjë dyshim se për çfarë mund të ketë ndodhur vrasja dhe prandaj duam nga shteti që të kapë autorët e vrasjes. Nëse shteti, policia dhe prokuroria nuk e bëjnë këtë gjë, të paktën të më thonë arsyet se përse e vranë djalin tim, sepse gjatë gjithë kësaj kohe ne nuk dimë se çfarë të mendojmë, duam të dimë shkaqet që i çuan autorët të vrisnin djalin tim.

Çfarë ju kanë thënë mbi hetimet për djalin tuaj, ka ndonjë gjë të re?
Unë kam dërguar një herë vëllain në prokurori, por deri tani nuk na kanë thënë asgjë. Edhe kur vëllai shkoi në prokurori, i thanë se akoma nuk kanë asgjë të re nga hetimet. Na kanë thënë se po hetojnë në disa pista, por ende asnjë version zyrtar. Për autorët nuk na kanë thënë asgjë, as ne nuk dimë se çfarë të mendojmë. Sa i përket asaj që thanë, se djali im apo ne kemi pasur lidhje me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk janë fare të vërteta, sepse ne atë e njohim siç e njohin të gjithë qytetarët e tjerë. Nëse do e kisha aq mik sa thanë në fillim, të paktën do i kisha trokitur disa herë për t’i kërkuar zbardhjen e vrasjes. Por, unë nuk kam trokitur asnjëherë në derën e ministrit dhe s’kam përse ta bëj, sepse këtë gjë nuk e ka në dorë vetëm ministri, e kanë në dorë prokuroria, policia, të gjitha institucionet bashkë.

Ju si familje, nuk keni asnjë dyshim se përse mund të jetë vrarë Elvisi?
Unë e kam thënë edhe më parë dhe po e them sërish: asgjë nga ato që janë thënë për djalin tim nuk janë të vërteta. Ne si familje nuk kemi asnjë dyshim, sepse po të kishim dyshime, do shkonim tek autoritetet dhe do u tregonim se çfarë dinim, por edhe ne presim nga shteti që të na tregojnë se përse u vra djali ynë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb