Vetëm 10 ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24, ka dhënë një panoramë kritike të situatës politike dhe atmosferës zgjedhore në vend, duke theksuar lodhjen, zhgënjimin dhe mosbesimin në rritje tek qytetarët.

Sipas Lubonjës, një nga faktorët kryesorë që po dëmton klimën demokratike është indiferenca e mazhorancës ndaj zërit kritik dhe kërkesave të qytetarëve, të cilën ai e përshkroi si një formë moderne të nënshtrimit politik.

“Njerëzit kanë protestuar me aq fuqi sa kanë, por indiferenca, tallja dhe përçmimi i mendimeve kritike nga mazhoranca ndikon në nënshtrimin dhe lodhjen e qytetarëve,” – u shpreh Lubonja.

Ai vlerësoi se ky qëndrim i qeverisë ka ushqyer një klimë apatie, ku qytetarët janë gjithnjë e më pak të motivuar të marrin pjesë në procesin politik.

Nga ana tjetër, Lubonja vuri në dukje edhe një tjetër zhvillim problematik në prag të zgjedhjeve – fragmentimin e opozitës në disa parti, që sipas tij i jep një avantazh të qartë Partisë Socialiste.

“Partitë e reja do marrin një numër të caktuar votash, por nëse ato nuk materializohen në një mandat deputeti, këto vota praktikisht i shkojnë partisë më të madhe – pra PS-së,” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb