SPAK ka njoftuar arrestimin e një inspektori në Inspektoratin e Shëndetësisë.

Ky person vendoste gjoba ndaj bizneseve të palicencuara, dhe premtonte fshirjen e tyre nëse subjekti i paguante rryshfet gjysmën e shumës së gjobës brenda 24 orëve.

Nëse shuma nuk paguhej brenda afatit kohor, ai u bënte presion se vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likuidimin e masës administrative.

SPAK njofton se arrestimi i tij është bërë në flagrancë dhe se i është sekuestruar edhe shuma prej 200 mijë lekësh.

Njoftimi i plotë:
Më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.
Sipas informacionit paraprak rezulton se, ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.
Sa më sipër, Prokuroria e Posaçme po më datë 24.05.2023, ka regjistruar kryesisht procedimin penal me Nr.126/2023 për konsumimin e elementëve të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqindë mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb