Agjencia shëndetësore e Bashkimit Afrikan, Africa CDC, me seli në Etiopi, ka paralajmëruar se 10 vende të tjera në Afrikë janë në rrezik nga përhapja e virusit Ebola, përveç Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës, ku rastet janë konfirmuar tashmë.

Sipas drejtorit të Africa CDC, Jean Kaseya, vendet në rrezik përfshijnë Angolën, Burundin, Republikën Qendrore Afrikane, Republikën e Kongos, Etiopinë, Kenian, Ruandën, Sudanin e Jugut, Tanzaninë dhe Zambinë.

Paralajmërimi vjen mes përhapjes së llojit “Bundibugyo” të Ebola-s në rajon, ndërsa dhjetëra raste janë raportuar në Republikën Demokratike të Kongos dhe infeksione të reja janë konfirmuar edhe në Ugandë.

Autoritetet shëndetësore thonë se kufijtë e pakontrolluar mirë, konfliktet e armatosura dhe infrastruktura e dobët po e vështirësojnë ndjeshëm frenimin e përhapjes së virusit.

Ndërkohë, OBSH ka rritur nivelin e rrezikut në “shumë të lartë” në zonat e prekura dhe ka bërë thirrje për koordinim urgjent rajonal, rritje të mbikëqyrjes dhe masa të forta parandaluese për të shmangur një përhapje më të gjerë të sëmundjes vdekjeprurëse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb