Nga takimi me diasporën e Kretës, kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët e Greqisë të kthehen në atdhe dhe të investojnë kursimet e tyre në agroturizëm.
Kreu i qeverisë tha se 500 aplikantët e parë që duan të investojnë në vendin e tyre, do të përjashtohen nga taksat dhe TVSH-ja për 10 vite.
Në funksion të kthimit të vëmendjes drejt zonave rurale, Rama përmendi linjën e kredisë të iniciuar nga Banka e Shqipërisë e cila parashikon 250 mln euro financime, me interes më pak se 3%, për të mbështetur investimet në fshat.
Edi Rama: Të ndezim oxhakun në shtëpitë e gjyshërve apo t’i kthejmë në agroturizëm. Për këdo që do të investojë në Shqipëri, ligji thotë që për 500 aplikantët e parë janë 10 vite pa taksë, pa TVSH pa asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit. Ky ishull ka një turizëm të zhvilluar, por ata që presin nisjen e sezonit për të punuar këtu, u them të interesohem sa janë pagat edhe në Shqipëri, sepse kam përshtypjen që në të shumtën e herës ju del më mirë atje se sa këtu.
Për të mbështetur investimet në fshat, Banka e Shqipërisë ka hapur edhe një linjë kredie e cila nis me 250 mln euro total dhe kushdo që do të ketë akses në atë linjë kredia që 70 përqind e kolateralit sigurohet nga shteti dhe ka interes më pak se 3 për qind, është i ftuar të na drejtohet për ta marrë këtë mbështetje.
Ka shembuj njerëzish plot që janë kthyer dhe të gjithë thonë që u del më mirë llogaria.
(BalkanWeb)
