Një gazetar izraelit, i quajtur Amit Segal nga televizioni “12 News” ka raportuar sot se 100 mijë palestinezë, banorë të Gazës së shkatërruar nga lufta, do të akomodohen në Shqipëri. Ai thotë se popullsia në fjalë është refuzuar nga Egjipti dhe Jordania, dy shtetet të cilëve, sipas gazetarit izraelit, iu është kërkuar nga administrata e re amerikane, të strehojnë palestinezët. Duke ndeshur në kundërshtimin e Kajros dhe Amanit, Segal thekson se plan B janë Shqipëria dhe Indonezia.
Gazetari shkruan: “Ndalesa tjetër – Shqipëria? Administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për migrimin e deri në 100,000 banorëve të Gazës në vend. Burimet izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të presin refugjatë dhe pretendojnë se opsionet si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”.
Postimi i gazetarit izraelit ka bërë menjëherë xhiron e rrjetit.
Por nuk ka vonuar përgjigjja e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar si “fake news” pretendimin e Segal dhe si diçka që nuk është absolutisht e vërtetë.
Ai theksoi se Shqipërisë nuk i është kërkuar nga askush dhe se Shqipëria nuk mundet të marrë përsipër diçka të tillë.
Reagimi i Ramës
I haven’t heard something so fake in quite some time—and there’s been a lot of fake news lately! It is absolutely not true.
Full respect and solidarity for the people of Gaza, who have been dehumanized by the savage Hamas regime and have endured a hellish war following the… pic.twitter.com/82w33P79xz
— Edi Rama (@ediramaal) January 27, 2025
Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme për një kohë të gjatë—dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Kjo është plotësisht e pavërtetë. Respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është dehumanizuar nga regjimi barbar i Hamasit dhe ka kaluar një luftë ferri pas horrorit mesjetar të 7 tetorit. Por le të jem i qartë: Shqipëria nuk është pyetur nga askush, dhe as mund të mendojmë për të marrë një përgjegjësi të tillë.
Ne jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur që shumë kohë më parë.
Por Shqipëria nuk ndodhet në Lindjen e Mesme, dhe nga zemra e Europës, nuk mund të bëjmë më shumë se çdo shtet tjetër europian për këtë çështje. Megjithatë, dëshirojmë dhe lutemi që populli palestinez të ketë mundësinë të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën sundimin demokratik, dhe që Hamas-i të mos mund të dëmtojë më Izraelin—apo, mbi të gjitha, palestinezët vetë.
Trump: Egjipti dhe Jordania të pranojnë palestinezët e Gazës!
Një ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza e shkatërruar nga lufta, një sugjerim që u hodh poshtë nga Hamasi, grupi militant palestinez që drejton rajonin dhe u duk se u kundërshtua edhe nga ministri i Jashtëm jordanez.
I pyetur nëse kjo ishte një zgjidhje e përkohshme apo afatgjatë për Gazën, ku sulmi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare dhe vdekjen e dhjetëra mijëra personave, Trump tha: “Mund të jetë secila prej këtyre mundësive”.
Jordania është tashmë ‘shtëpia’ e disa milionë palestinezëve, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gazë të zhvendosen në shtetet e tyre. Por Gaza është territor që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez.
Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për kthimin e kolonëve hebrenj në Gazë, e përshëndeti thirrjen e zotit Trump duke e cilësuar “një ide të shkëlqyer” dhe tha se ai do të punojë për të hartuar një plan për zbatimin e saj.
(BalkanWeb)
