Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se kjo forcë politike është tashmë partia e tretë në Shqipëri, por theksoi se ky nuk është qëllimi përfundimtar, por vetëm hapi i parë drejt një ndryshimi më të madh në politikën shqiptare.
“Jemi qartësisht partia e tretë në Shqipëri. Nuk është qëllimi ynë final, por nuk është pak. Në 10 muaj, kemi bërë takime në të gjithë Shqipërinë, të panumërta. Jemi partia e tretë, do kemi me qindra mijëra vota në gjithë Shqipërinë. Por ky është vetëm fillimi. E filluam me pak. Në më pak se 10 muaj. E themeluam në qershor te Pallati i Kongreseve, ju kujtohet, apo jo? Në 10 muaj, sa takime kemi bërë në të gjithë Shqipërinë” deklaroi Shehaj, i cili ritheksoi se vota për Partinë Mundësia nuk do të preket.
“Për të gjithë ata që na thonë: ‘Do na vjedhin votat’ është e pamundur! Kemi mbi 1000 vëzhgues në çdo qendër numërimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka asnjë mundësi. Asnjë mundësi! I gënjen mendja. Më besoni, nuk ka asnjë shans,” – theksoi Shehaj.
Në vijim, ai u ndal te besimi që qytetarët kanë treguar ndaj Partisë Mundësia dhe përgjegjësia që kjo mbart. Shehaj tha se kjo forcë nuk do të zhgënjejë qytetarët dhe nuk do të bëhet pjesë e pazareve politike.
“Qytetarët e ndershëm, të gjithë ata që duan ndryshimin, i kanë sytë nga ne. Nuk mund t’i zhgënjejmë duke hequr dorë. Do jemi aty duke u kujdesur që votat e Partisë Mundësia të shkojnë te kandidatët e Partisë Mundësia.”
Duke e cilësuar Partinë Mundësia si një projekt afatgjatë, Shehaj theksoi se ajo nuk do të bëhet patericë e askujt dhe do të qëndrojë larg çdo kompromisi që cënon drejtësinë dhe vullnetin e votuesve.
“Ajo që do ndodhë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Përfaqësuesit e Partisë Mundësia do përfaqësojnë vetëm interesat e votuesve të Partisë Mundësia. Çfarë kemi thënë, atë do bëjmë. Kemi thënë që kurrë votat e Partisë Mundësia nuk do shkojnë kundër drejtësisë, dhe do ta mbajmë fjalën. Kemi thënë që nuk është qëllimi ynë të bëhemi kingmaker, të bëhemi patericë e askujt. Kemi thënë që ky është një projekt politik afatgjatë dhe këtij premtimi do t’i qëndrojmë.”
(BalkanWeb)
