Protestat qytetare në Shqipëri, që kanë hyrë në ditën e 113-të, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, protestat janë trajtuar nga SBS Dateline, programi australian i gazetarisë investigative, i cili ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri, ku mijëra qytetarë protestojnë në shesh për çdo natë.

Emisioni në fjalë sqaron se protesta nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të parashikuar në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe mënyrës së funksionimit të sistemit politik në Shqipëri.

Në prononcimet për gazetaren Jennifer Scherer, protestuesit shprehen se synojnë ndryshimin e sistemit dhe kërkojnë një reagim të fortë qytetar. “Ne po përpiqemi të sjellim një ndryshim sistemi. Kemi nevojë për një ndryshim thelbësor. Tani është koha”, shprehet një prej protestuesve.

Për emisionin ka folur edhe aktivisti Jurgen Shpërdhea, i cili ka argumentuar se Shqipëria ka potencialet e nevojshme për të qenë një vend i pasur. Ai ka vënë në dukje edhe pjesëmarrjen e fëmijëve në protestë, të cilët i janë bashkuar thirrjeve të qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama.

Protestues të tjerë kanë thënë se pjesëmarrja e tyre në tubime lidhet me dëshirën për të ndikuar në të ardhmen e vendit dhe për të kërkuar ndryshime politike.

Në emision është përfshirë edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Ai ka deklaruar se protestat nuk mund të përcaktojnë fatin e projekteve dhe zhvillimin e vendit, duke shtuar se kjo nuk do të ndodhë për sa kohë ai është në drejtimin e qeverisë.

“Përparimi në Shqipëri dhe projekti nuk mund të përcaktohen nga protestat në rrugë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jo sa kohë jam unë në krye”, citohet Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb