Të paktën 12 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libani, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Sipas autoriteteve, tetë viktima – mes tyre një fëmijë dhe dy gra – u regjistruan në fshatin Hamboush, ku gjithashtu u plagosën 21 persona. Sulmet ndodhën pavarësisht se banorëve u ishte kërkuar të evakuoheshin nga ushtria izraelite, edhe pse një armëpushim ishte në fuqi.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi për një “breshëri sulmesh” që ndodhën më pak se një orë pasi u dha paralajmërimi për goditje të afërta. Dëshmitarët në terren përshkruan kolona të mëdha tymi që ngriheshin pas shpërthimeve.
Në një tjetër sulm në zonën e Zrariyah, pranë qytetit Sidon, u vranë katër persona, përfshirë dy gra, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur.
Sulme ajrore dhe zjarr artilerie u raportuan edhe në zona të tjera të jugut, përfshirë Tiri, pavarësisht armëpushimit që ka qenë në fuqi që nga 17 prilli.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, më shumë se 2,600 persona janë vrarë që nga rifillimi i armiqësive më 2 mars midis Izraelit dhe Hezbollahu. Mes viktimave janë edhe 103 punonjës të ekipeve të shpëtimit.
