Trembëdhjetë persona u gjetën të vdekur brenda një miniere ari në Peru, pasi u rrëmbyen ditë më parë në zonën veriore të Patazit , tha kompania minerare Poderosa.

“Këtë mëngjes, pas përpjekjeve intensive të kërkimit, ekipi i shpëtimit të policisë arriti të gjente trupat e 13 punëtorëve që u rrëmbyen nga minatorë të paligjshëm në bashkëpunim me elementë kriminalë”, tha kompania në një deklaratë.

Viktimat e gjetura punonin për një kompani që ofronte shërbime për Poderosa, një firmë e madhe e minierave të arit e listuar në bursën e Limës, e cila muajt e fundit është shënjestruar nga grupe të armatosura të lidhura me minierat e paligjshme.

“Dhuna e pakontrolluar në Pataz po ndodh pavarësisht shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pranisë së një kontingjenti të madh policor, i cili, për fat të keq, nuk ka qenë në gjendje të ndalojë përkeqësimin e kushteve të sigurisë në zonë”, tha kompania minerare.

Peruja po përjeton një valë krimesh të dhunshme që i ka shtyrë autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë të vendit.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb