Deputeti i zgjedhur i PD, Gjin Gjoni ka kujtuar sot Masakrën e Qafë Valmirit ku u dënuan me vdekje në një ditë 14 burra në Mirditë.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjoni shkruan se pas kësaj rreth 500 familje u internuan në rrethe të ndryshme të vendit, teksa territori i krahinës së Mirditës u nda në 7 rrethe.

”Sot më shumë së kurrë duhet të nderojmë ata burra që zgjodhën rezistencën dhe familjet e tyre që paguan shtrenjtë çmimin për një Shqipëri të lirë dhe në kufijtë e saj etnike.

Kjo shtresë është shtylla e të djathtës shqiptare dhe pa sakrificën e tyre nuk do kishte ardhur kurrë përmbysja e regjimit në vitin 1990”, shkruan ai.

Postimi i plotë:
Masakra Qafë Valmirit ku u dënuan me vdekje në një ditë 14 burra në Mirditë, sot është dita të kujtojmë çmimin e rëndë që paguan të parët tanë në emër të lirisë! Në 17 Gusht 1949 regjimi komunist përgjaku Mirditën në shenjë hakmarrje për rezistencën e armatosur të kësaj treve kundër instalimit të regjimit.
Pasi forcat e ndjekjes që drejtoheshin nga emisarë serbë dhe rusë kishin pësuar humbje të rënda nga përballja me grupet e rezistencës në Tokën e Katedraleve dhe rezistencës, regjimi i Tiranës vendosi të hakmerrej në mënyrën më të rëndë.

Në atë që njihet si Masakra e Qafë Valmirit regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga dyert më të fisme të Mirditës, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 u pushkatuan.

Një baba që kërkoi të varej në vend të djalit, një vëlla që dënohet me vdekje se i vëllai ishte ne Mal dhe një burrë që varet në litar në sy të vajzës dhe gruas, janë disa episode tragjike të kësaj masakre.

Pas kësaj rreth 500 familje u internuan në rrethe të ndryshme të vendit, teksa territori i krahinës së Mirditës u nda në 7 rrethe.

Sot më shumë së kurrë duhet të nderojmë ata burra që zgjodhën rezistencën dhe familjet e tyre që paguan shtrenjtë çmimin për një Shqipëri të lirë dhe në kufijtë e saj etnike.

Kjo shtresë është shtylla e të djathtës shqiptare dhe pa sakrificën e tyre nuk do kishte ardhur kurrë përmbysja e regjimit në vitin 1990.# GG#”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb