TIRANE- Tetor 2002, nis këtu historia e universiteteve private në vendin tonë. Atë vjeshtë, Gramoz Pashko i dha jetë universitetit të parë privat në Shqipëri. Deri atëherë dukej kaq e pamundur një nismë e tillë, në një vend si Shqipëria, e cila kishte kthyer në mit të paprekshëm universitetin shtetëror.

Themeluesi i Universitetit “Luarasi”, prof. dr. Aleks Luarasi, është i dyti që ndërmori hapin e vështirë për çeljen e një universiteti privat. Kishte qenë një ëndërr e hershme e tij, por që u bë realitet në vitin 2003.

Në vitin 2006, Universiteti Evpropian i Tiranës do të ishte i treti i universitet privat në Shqipëri, i themeluar nga katër liberalet Henri Çili, Ermal Hasimja, Adri Nurellari dhe Blendi Kajsiu. Më vonë të tjera universitete të rëndësishme nisën të operojnë në tregun shqiptar.

Hapja e universiteteve private i dha një tjetër dimension sistemit të lartë arsimor në Shqipëri edhe pse të paragjykuar nga fanatikët e arsimit publik.

Midis universiteteve publike dhe private është zhvilluar një betejë deri diku e padrejtë. Kjo për faktin se në Shqipëri, siç ndodh edhe në vende të tjera të lindjes, është mbjellë në mendjet e njerëzve me dekada, ideja se vetëm shteti mund të ketë shkolla dhe aq më shumë universitete, dhe se privati do të jetë dështim, do të jetë ai “gjakpirësi” për të cilin kishte folur gjysmë shekulli literatura, kinemaja dhe shkenca e kohës së komunizmit.

Përvoja 15-vjeçare e arsimit të lartë privat në të vërtetë dëshmoi të kundërtën, sepse ka shumë universitete private që janë tashmë histori suksesi në fushën e arsimit në Shqipëri.

Duke u ndalur tek kjo temë, në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Rektorja e Universitetit të Durrësit Kseanela Sotirovski tha se universitetet private janë një histori suksesi, duke shtuar se ato i kanë bërë universitetet publikë më “sy hapur” në treg.

“Na kanë nxitur dhe kanë bërë që publikët të jenë më “sy hapur” në treg. Ne bëjmë konkurrencë me privatin. Bëjmë promovim nëpër gjimnaze dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer me to”, tha Sotirovski.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb