TIRANE

Më 23 maj u bënë 16 vite nga ndarja nga jeta e themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha. Ai ndërroi jetë pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Tiranë.

Në këtë ditë, Lori Hoxha ka ndarë një letër prekëse për të atin, ku shkruan:

“Babit, në përvjetorin e ikjes së tij. I shkrova Sarës në mëngjes që ndihem në faj që nuk jam më e trishtuar për ikjen tënde, në faj që ndoshta hapësira midis momenteve kur të kujtoj do zgjatet sa më shumë vite kalojnë.

E ndërkohë që shkruaja, m’u mbushën sytë me lot e m’u mbush gjoksi me mall. Në fakt ajo që besoj unë ka ndodhur është që nuk e lejoj më dashurinë për ty, të papërdorur e pafalur, të më plasi shpirtin, por e çoj aty ku do dojë ti që ne të gjithë ta çonim dashurinë për ty, tek familja dhe Top Channel.

Meritoje të jetoje më gjatë e të shijoje me ne çdo kujtim, por siç na pelqen ta themi ne ndonjëherë për hir të të pandryshueshmes është që ike në ngritje pa e parë kurrë majën por as tatëpjetën.

Ndoshta s’do isha bërë kjo që jam po të më kishe shoqëruar 16 vitet e fundit e megjithatë do ta zgjidhja çdo herë atë rrugë. Vazhdo të më japësh shenja. I shoh dhe të ndjek, e sa më shumë punoj për ëndrrat e tua aq më shumë të ndjej afër”, shkruan ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb