Kosova mbush sot 18 vjet si shtet i pavarur. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë, duke shënuar një moment historik për vendin dhe rajonin. Tetëmbëdhjetë vite më pas, shteti më i ri në Evropë e përkujton këtë datë me ceremoni solemne, homazhe dhe aktivitete shtetërore në Prishtinë dhe më gjerë.

Në ceremonitë zyrtare pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, krahas drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik.

Manifestimet nisin me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës, për të vijuar me mbledhjen solemne të Qeverisë.

Gjatë paradites do të zhvillohen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve dhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe nderime te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe ai i veprimtarit Adem Demaçi.

Në orën 09:00, delegacionet shtetërore do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, simbol i sakrificës për liri.

Pjesa qendrore institucionale zhvillohet në orën 10:30 me seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më pas, në 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti i Heroinave, ndërsa në 11:30 do të mbahet parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Aktivitetet përmbyllen në mbrëmje me pritjen shtetërore të organizuar nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kosovës në orën 17:30, ndërsa në 20:00 do të mbahet koncerti solemn në Filarmoninë e Kosovës.

18-vjetori i Pavarësisë vjen në një kohë sfidash dhe aspiratash për integrim euroatlantik, ndërsa mesazhet e kësaj dite pritet të theksojnë unitetin, kujtesën historike dhe përkushtimin për forcimin e shtetit të Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb