NGA: Dorjana Bezat*TIRANE- E-maili kërcënues drejtuar Shqipërisë që mbërriti në adresën personale të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, vuri në lëvizje autoritetet për të zbardhur dërguesin. Njësia Antiterror në Policinë e Shtetit ka shoqëruar gjatë dy ditëve të fundit rreth 18 persona, lidhur me mesazhin kërcënues që iu adresua Shqipërisë një ditë pas sulmeve terroriste në Paris.
Të shoqëruarit, të cilët janë kryesisht të moshës 20-25 vjeç, të apasionuar pas informatikës, janë pyetur nëse kanë dijeni për ngjarjen. Dyshimet kryesore bien mbi dy të rinj nga Kashari me inicialet V.M. dhe K.M., të cilët janë shoqëruar mbrëmjen e së dielës. Fillimisht është shoqëruar personi i cili ka pasur të regjistruar me emrin e tij e – m a i l i n [email protected]. Mësohet se ai ka thënë për grupin hetimor, se emailin në emrin e tij e përdorte K.M., të cilin e ka shok. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije, se këtë mesazh kërcënues nuk e ka marrë vetëm ministri Tahiri, por edhe drejtues të tjerë të policisë, si dhe disa redaksi lajmesh.
Zyrtarisht, Policia e Shtetit ka thënë se organet kompetente po hetojnë intensivisht mbi autorët dhe motivin e kërcënimit. Në fazën që jemi, nuk ka asnjë person të arrestuar, ndërkohë që vijon puna me intervistimin e personave që kanë informacion, apo me personat që dyshohet se janë të përfshirë direkt në këtë kërcënim. E-maili kërcënues është dërguar në datën 14 nëntor, në orën 10:44.
“Tani e keni radhën ju. Filloi lufta e shenjtë ndaj atyre që janë përfshirë në luftën kundër Shtetit Islamik. Do dridheni, do gjunjëzoheni para Allahut!” E-maili mbyllet me thirrjen: “Allahu Ekber!” – “Allahu është i madh!” Kërcënimi ka ardhur nga një grup me emrin “Brigadat e Kuqe”. Mesazhi i dërguar në adresën e ministrit të Brendshëm, nga shumëkush u mor si një mesazh kërcënimi për vetë atë.
E-MAILI I DYTE
“Brigadat e Kuqe” i është përgjigjur edhe interesimit të “Gazetës Shqiptare” për këtë çështje. Nga e-maili i këtij grupimi ka ardhur një mesazh ku shkruhej: “Nuk ishte kërcënim për z. Ministër, është keqkuptuar ky email”. Ky grupim nuk është një emër i padëgjuar për Ministrinë e Brendshme. “Brigadat e Kuqe” ka qenë shumë aktiv me kërcënime edhe gjatë ndeshjes Shqipëri- Serbi.
Edhe atëherë nisi një hetim ndaj tyre për mesazhet e kërcënimit që dërguan për Kombëtaren serbe, dhe më vonë për ultimatumet kërcënuese që lëshuan për lirimin e Ismail Morinajt, të njohur si Ballist Morina, por nuk u bë e ditur asnjë e dhënë nga ky hetim. Mbetet i paqartë edhe aktiviteti i këtij grupimi dhe qëllimet që ka. “Brigadat e Kuqe” kryesisht është bërë aktiv gjatë situatave që kanë pasur në qendër ngjarjet futbollistike, duke pasur karakteristikat e një grupimi tifozësh. Por, me mesazhin e fundit kanë marrë një karakteristikë tjetër, atë të një grupi ekstremistësh.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)
