Avokati Lulzim Tanushi, i cili përfaqëson katër prej personave të arrestuar pas protestës së djeshme para Kuvendit, i ka cilësuar arrestimet si një “proces politik”, duke pretenduar se klientët e tij nuk kanë kryer asnjë vepër penale.

Në një intervistë për News24, Tanushi deklaroi se katër të arrestuarit, të cilët ndodheshin në Komisariatin nr. 4, akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, megjithëse, sipas tij, ata ndodheshin në një lokal në momentin e ngjarjes.

“Ky është një proces politik. Të katër personat nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, kur në fakt ishin në kafe dhe janë marrë që aty”, u shpreh avokati.

Sipas Tanushit, ngjarja nisi pasi të rinjtë panë ministrin Ulsi Manja, i cili, sipas pretendimeve të tij, i ka ofenduar dhe provokuar verbalisht, ndërsa më pas ata reaguan duke hedhur vezë në drejtim të tij.

Avokati pretendoi gjithashtu se gjatë incidentit truproja e ministrit ka ushtruar dhunë ndaj Gent Prognit.

“Ka pamje që një bodyguard ka goditur Gent Prognin. Ata kanë qenë në kafe, kanë parë Ulsi Manjën, i cili ka lëvizur më tutje, i ka sharë dhe ofenduar, ndërsa këta e kanë goditur me vezë. Janë ndjerë të provokuar. Ndaj tyre është përdorur një gjuhë shumë e rëndë. Bodyguardi i Manjës iu drejtua Gentit dhe e goditi disa herë”, deklaroi Tanushi.

Sipas avokatit, edhe pas ndërhyrjes së policisë është ushtruar dhunë ndaj Prognit.

“Ai i uli duart me idenë se do ta arrestonin, por u grushtua. Kur ishte i prangosur, një punonjës policie e ka goditur nga mbrapa me shkelma. Për këtë do të bëjmë një kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, për të identifikuar efektivin që ka shkelur ligjin”, tha Tanushi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb