Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj pranisë së Policisë së Shtetit në Universitetin e Vlorës, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të rektoratit për largimin e efektivëve nga ambientet universitare.
Zhupa akuzon kryeministrin Edi Rama se po e përdor Policinë si instrument presioni dhe frikësimi ndaj studentëve, të cilët, sipas saj, duhet të jenë të lirë të zgjedhin nëse do të qëndrojnë në leksione apo do t’i bashkohen protestës.
Ajo ngre gjithashtu akuza për një shpërblim prej 2 500 eurosh për personat e përfshirë në përballjen me studentët dhe i cilëson këto veprime si metoda diktatoriale. “Universiteti nuk është pronë e Edi Ramës dhe as repart policie”, thekson Zhupa, duke shtuar se frika e pushtetit përballë revoltës studentore dëshmon dobësinë e tij.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
POLICIA JASHTË UNIVERSITETIT TË VLORËS!
Është e papranueshme që Policia e Shtetit të futet në Universitetin e Vlorës për të kërcënuar studentët dhe për t’i penguar të zgjedhin lirisht nëse do të qëndrojnë në leksione apo do t’i bashkohen protestës.
Edi Rama po e trajton Policinë e Shtetit si një ushtri mercenarësh në shërbim të pushtetit të tij, ku sot ju vuri edhe një çmim prej 2 500 eurosh për person atyre që përfshihen në përballjen me studentët.
Rektorati duhet t’i nxjerrë menjëherë jashtë! Universiteti nuk është pronë e Edi Ramës dhe as repart policie. Studentët janë të lirë të vendosin vetë, pa presion, pa kërcënime dhe pa frikë. Askush nuk ka të drejtë t’u diktojë se si duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.
Këto janë metoda diktatoriale të një regjimi që, përballë revoltës së studentëve,ka rënë moralisht. Kur pushteti ka frikë nga studentët, tregon dobësinë e vet dhe fundin që po i afrohet!
