Të paktën dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi cikloni Hamoon goditi disa pjesë të Bangladeshit juglindor.
Pemët e rëna kanë ndërprerë lidhjen rrugore në distriktin Chattogram, rreth 242 km në juglindje të kryeqytetit Dhaka, duke lënë të vdekur dy persona, përfshirë një burrë dhe një grua, tha një zyrtar i policisë lokale, i cili nuk pranoi t’i përmendet emri.
Ai tha se stuhia la një gjurmë shkatërrimi, duke shkulur qindra pemë, duke rrafshuar shumë shtëpi të ndërtuara me kallaj dhe baltë në distrikt dhe duke prishur komunikimin rrugor dhe hekurudhor me zonat e prekura.
Zyrtari tha se rreth 100 persona të tjerë janë plagosur në Chattogram.
Ministri i Shtetit të Bangladeshit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Ndihmën Enamur Rahman u tha gazetarëve se ata kanë marrë masat e duhura për të mbështetur njerëzit e prekur në Chattogram, ku qindra mijëra njerëz janë evakuuar.
