Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me dorëzimin e Kamber Sulçe, autori i vrasjes së biznesmenit italian Eduardo Sarchi.
Burime bëjnë me dije për BalkanWeb se Sulçe është dorëzuar bashkë me armën me të cilën ka kryer krimin.
Sipas burimeve, ai nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.
“Nuk do të jap asnjë shpjegim sot por në një fazë të mëvonshme dhe në prezencë të avokatit”, ka pohuar ai.
Njoftimi:
Vetëdorëzohet shtetasi K. S., autor i dyshuar i vrasjes për motive të dobëta, të shtetasit italian, E. S., trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, pas mesnatës së datës 26.09.2025.
Shtetasi K. S. gjithashtu dorëzoi armën e gjahut (me vjaska), me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Gjirokastër kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, në mungesë, për shtetasin K. S., 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. S. ka qëlluar me armë gjahu me vjaska, në drejtim të shtetasit E. S., shtetasve që shoqëronin këtë të fundit dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi E. S..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të metejshme.
