Vit pas viti, përqindja e të rinjve që marrin mësime ose kurse online po rritet. Sipas të dhënave të krahasueshme të Eurostat 20% e të rinjve shqiptare në grupmoshën 16-29 vjeç e përdorën internetin për kurse ose mësime online më 2023.

Pas pandemisë, përdorimi i internetit për kurse dhe mësime në internet është rritur ndjeshëm. Në vitin 2009 vetëm 3% e të rinjve shqiptarë e përdorën internetin për të mësuar.

Në krahasim me vendet e zhvilluara të BE-së, Shqipëria ende ka një hendek të madh në përdorimin e internetit për të rritur njohuritë, por në krahasim me disa vende të Europës Lindore pozicionohet më mirë (shiko grafikun e mëposhtëm). Pjesëmarrja e të rinjve shqiptarë në mësimet online ishte më e lartë se në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Poloni, Kroaci, Hungari, Portugali, Danimarkë etj.

Finlanda kishte përqindjen më të lartë të nxënësve dhe të rinjve që morën mësime online më 2024 me rreth 53% e ndjekur nga Greqia 42%, Spanja dhe Çekia, Irlanda dhe Sllovenia.

Nga Rajoni renditjen më të mirë e kishte Bosnja ku 27.6% e të rinjve përdorën internetin për mësime online.

Në anën tjetër Rumania ishte vendi me pjesëmarrjen më të dobët në mësimet online, me vetëm 8% e ndjekur nga Turqia, Gjermania etj.

Ku shqyrtohen metoda specifike të mësimit në internet, 18% e përdoruesve të internetit në Europë morën një kurs online në vitin 2024, i cili i referohet një serie të planifikuar aktivitetesh mësimore për një temë specifike që rezulton në një kualifikim ose certifikatë frekuentimi. Normat më të larta ishin në Irlandë me 36%, dhe Finlandë dhe Spanjë, të dyja me 32%.

Në të njëjtën kohë, 29% e përdoruesve të internetit përdorën materiale mësimore online, që i referohen materialeve për qëllime edukative, profesionale apo private. Përqindja më e lartë ishte në Holandë me 53%, Irlande me 52% dhe Finlandë me 46%.

Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe marketingu dixhital janë ndër kurset më të kërkuara në internet në vitin 2024. Rreth 40% e kurseve kryesore të 2024-s mësojnë AI, duke e përforcuar atë si një aftësi të domosdoshme për të gjithë punonjësit.

Përveç përmirësimit të AI, kurset në internet përdoren gjithashtu për të përmirësuar aftësitë e buta, ose thjesht për të plotësuar kureshtjen. Sipas ofruesit të kurseve në internet “Coursera”, nxënësit po zgjedhin gjithnjë e më shumë përmbajtje të fokusuar për t’u përgatitur më mirë për punë specifike.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së përgjithshme të normave të mësimit online në BE, marrja e një kursi online mbetet aktiviteti më pak i popullarizuar në mesin e përdoruesve të internetit.

Shumica e njerëzve e përdorin internetin kryesisht për komunikim: 85% e përdorin atë për telefonata, video thirrje ose mesazhe, ndërsa 80% e përdorin atë për email./ Monitoir

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb