Përmbytjet e shkaktuara nga tejmbushja e lumit Pirai në rajonin lindor Santa Cruz të Bolivisë kanë shkaktuar deri më tani 20 viktima dhe të paktën 24 persona të zhdukur, ndërsa qindra familje kanë mbetur pa strehë.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Alfredo Troche, i cili u tha mediave lokale se ekipet e shpëtimit kanë evakuuar rreth 300 persona me ndihmën e helikopterëve. Megjithatë, dhjetëra komunitete vazhdojnë të mbeten të izoluara për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Shirat e rrëmbyeshëm, që nisën të shtunën, kanë dëmtuar rëndë rrugët dhe urat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe banesa. Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë ura të shembura dhe automjete emergjence që punojnë për pastrimin e mbeturinave dhe rivendosjen e lidhjeve rrugore.

Presidenti Rodrigo Paz ka thirrur ekspertë dhe zyrtarë qeveritarë për të vlerësuar reagimin ndaj emergjencës, duke kritikuar administratat e mëparshme për mungesën e përgatitjes. Ai theksoi se shpyllëzimi ka qenë një nga faktorët që ka përkeqësuar pasojat e përmbytjeve.

Sipas autoriteteve, përmirësimi i kushteve të motit në ditët në vijim pritet të lehtësojë operacionet e ndihmës dhe kërkim-shpëtimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb