Barça-Atletico nuk zhgënjen kurrë, prodhon spektakël, gola, tension në çdo arenë ku përplasen, kështu ndodhi edhe në Champions, por këtë herë rezultati ishte befasues, me ekipin Simeones që tronditi blaugranat brenda në “Camp Nou”. Për herë të parë, pas vitin 2006, Atletico fiton në Barcelonë duke i dhënë fund një “letargjie” të gjatë ku nuk njihnin fitore prej 25 transfertave radhazi.

Pa Raphinha-n, ekipi i Flick nuk është i njëjtë, edhe pse e nisën sfidën “zjarr” duke gjetur shpejt golin e avantazhit me Rashford, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Yamal. Momenti më përcaktues i këtij takimi erdhi në minutën e 44-të, ku Cubarsi ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Giuliano Simeones. Fillimisht gjyqtari i takimit akordoi faull dhe karton të verdhë, por pasi rishikoi pamjet në VAR ndëshkoi qendërmbrojtësin spanjoll me karton të kuq.

Jo vetëm kaq, nga ky episod Barça u ndëshkua dyfish, pasi Alverz ekzekutoi një goditje dënimi spektakolare duke dërguar topin në trekëndësh, një gol i çmendur që i dhuroi Atletico-s avantazhin.

Me një lojtar më pak, kjo sfidë u ndërlikua jashtëzakonisht shumë për Barçës, por ekipi i Flick nuk u dorëzuan, madje flirtuan edhe me golin, ku Rashford në një pozicion thuajse identik me Alvarez përplasi topin dhunshëm në tranversë. Atletico hodhi në tapet Barçën në minutën e 70-të, ku Sorloth i shërbyer brenda në zonë me një devijim të saktë dyfishoi shifrat.

Të shtyrë dhe nga publiku, Barça u përpoq të shënonte të paktën një gol, por pa sukses, duke i detyruar tashmë të vënë në jetë një përmbysje të madhe në Madrid, nëse nuk dëshirojnë të “lajnë duart” me Champions që në fazën çerekfinale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb