Ushtria Kolumbiane ka shpërndarë foto të papublikuara më parë të një anijeje të tipit galion “San Jose”, një nga anijet më të mëdha të armatës spanjolle, e cila është mbytur tre shekuj më parë, së bashku me thesare të paçmuara të cilat ndodheshin në bordin e saj.

Marina ka mundur të arrijë anijen e cila ishte fundosur në thellësinë 950 metra, dhe të vëzhgonte nga afër atë çfarë kishte mbetur prej saj.

E gjitha është arritur falë një nëndetëseje të telekomanduar. Operacioni i cili është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës verifikoi se anija nuk i është nënshtruar asnjë ndërhyrjeje për shkak të veprimit njerëzor.

Fotot tregojnë topat e anijes, enë porcelani, enë qeramike, shishe qelqi, por edhe objekte që duket se janë prej ari. Një pjesë e harkut është e mbuluar me alga dhe guaska, ndërsa korniza prej druri e bykut është ruajtur.

“Falë pajisjeve teknologjike dhe punës së Marinës Kolumbiane, ne kemi qenë në gjendje të shohim imazhe të anijes San Jose me saktësi të paprecedentë, duke mbajtur të paprekur dhe duke mbrojtur këtë trashëgimi të njerëzimit”, thanë autoritete kolumbiane.

Sipas autoriteteve kolumbiane, edhe dy anije të tjera u gjetën aty pranë gjatë operacionit.

Anija “San Jose”, është një gallon i periudhës koloniale nga shekulli i 18-të.

“San Jose”, anije e cila u mbyt nga flota britanike më 7 qershor 1708 , përmban, sipas ekspertëve, të paktën 200 tonë ar, argjend dhe smerald.

Në fund të vitit 2015, ndërsa gjuetarët e thesarit kaluan dekada duke kërkuar për anijen e mbytur, presidenti i atëhershëm kolumbian Juan Manuel Santos njoftoi se ishte identifikuar vendndodhja e saktë e mbytjes së anijes, kryesisht falë topave të saj unikë të zbukuruar me delfinë.

Santos e përshkroi mbytjen e anijes si thesarin më të çmuar të gjetur ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb