Viti 2025 u rendit si viti i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në planet, shumë pranë niveleve rekord të viteve 2024 dhe 2023. Kështu njoftuan sot veçmas Observatori Evropian i Kopernikut dhe Instituti Amerikan Berkeley Earth, duke paralajmëruar se temperaturat globale pritet të mbeten në nivele historikisht të larta edhe gjatë vitit 2026.

Sipas të dhënave të Kopernikut, temperatura mesatare globale ka qëndruar për tre vite radhazi mbi 1.5 gradë Celsius krahasuar me periudhën para-industriale (1850–1900), një prag që konsiderohej objektivi më ambicioz i Marrëveshjes së Parisit për klimën. Shkencëtarët theksojnë se kjo rritje e vazhdueshme përfaqëson nivele të papërjetuara më parë nga njerëzimi.

“Rritja e fortë e temperaturave e vërejtur midis viteve 2023 dhe 2025 ishte ekstreme dhe tregon një përshpejtim të qartë të ngrohjes globale”, deklaruan studiuesit e Berkeley Earth. Sipas tyre, tejkalimi i përhershëm i kufirit 1.5°C mund të formalizohet deri në fund të kësaj dekade, më shumë se dhjetë vjet më herët sesa ishte parashikuar fillimisht.

Ky përshpejtim vjen në një moment shqetësues për përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike. Në disa vende të pasura, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ulja e emetimeve u ngadalësua në vitin 2025, ndërsa në Shtetet e Bashkuara rritja e prodhimit të energjisë nga qymyri ka fshirë një pjesë të progresit të viteve të mëparshme. Situata është bërë edhe më e ndërlikuar pasi SHBA-të kanë reduktuar angazhimin e tyre në bashkëpunimin ndërkombëtar për klimën.

“Urgjenca për veprim klimatik nuk ka qenë kurrë më e madhe”, tha Mario Facchini, drejtues i njësisë Copernicus, duke shtuar se nuk ka asnjë shenjë që trendi i ngrohjes të ndryshojë në vitin 2026.

Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, parashikoi se viti 2026 do të renditet mes pesë viteve më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë dhe ka gjasa të jetë i krahasueshëm me vitin 2025. Edhe shkencëtarët e Berkeley Earth vlerësojnë se 2026 mund të jetë viti i katërt më i ngrohtë që nga viti 1850, ose edhe rekord, nëse rikthehet fenomeni El Niño.

Në vitin 2025, temperatura mesatare globale e ajrit dhe oqeaneve ishte 1.47°C mbi nivelin para-industrial, ndërsa në vitin 2024 ajo arriti në 1.60°C, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, këto mesatare fshehin rekorde rajonale, veçanërisht në Azinë Qendrore, Antarktidë dhe rajonin e Sahelit.

Sipas vlerësimeve, rreth 770 milionë njerëz përjetuan nxehtësi rekord gjatë vitit 2025, ndërsa nuk u regjistrua asnjë rekord i ri i të ftohtit. Viti u shënua gjithashtu nga ngjarje ekstreme të motit, përfshirë valë të forta të nxehti, ciklone, stuhi dhe zjarre masive në Evropë, Azi, Amerikën e Veriut dhe rajonin e Mesdheut.

Shkencëtarët theksojnë se djegia e naftës, qymyrit dhe gazit mbetet shkaktari kryesor i rritjes së temperaturave globale, ndërsa faktorë të tjerë, si ndryshimet në ndotjen e ajrit dhe rregulloret për karburantet detare, mund të kenë kontribuar në përshpejtimin e mëtejshëm të ngrohjes së planetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb