Sot bëhen 15 vite nga “21 Janari” ku u vranë katër persona pas protestës së dhunshme të ndodhur në 21 janar në 2011.
Në një intervistë në emisionin “Oponencë” në News24, Fatos Klosi ish-kreu i SHISH foli për këtë ngjarje duke thënë se ka pasur përpjekje nga ana e fajtorëve për të eliminuar provat.
“Ka një përpjekje nga ana e fajtorëve për të eliminuar provat. Kërkohen provat që të çosh në prokurorisë. Por ato prova i patën në dorë dhe në dy vite është bërë gjithçka e mundshme dhe sot nuk gjendet asnjë nga studiot televizive për deklaratat që ka bërë Berisha për çadrat…Nuk gjendet. U fshi serveri, u mbajt Garda 3 ditë atje brenda. E keni parasysh çfarë autoriteti ka pasur Berisha. Përse nuk ndërhyri ai nëse fajtor paska qenë Garda?”, tha ai.
Gjithashtu ai theksoi se ka qenë i pranishëm dhe se ka marrë pjesë në ato protesta.
“Unë kam qenë përballë Kryeministrisë. Provokoi policia, filloi topi u ujit pa nisur ende protesta. Filloi gazi për t’i shpërndarë dhe e ndjemë veten keq. Nuk u kalua kurrë gardhi i policisë. Më pas ndodhi një tjetër provokim policia iku, u fut brenda gardhit…Një situatë që krijoi idenë ‘hajdeni’. Unë jam i bindur e ka si opinion ‘pritej që të trajtohej si provokim dhe të ndodhte ajo që ndodhi’. Kanë ndodhur protesta në Shqipëri pa fund, por kjo protestë ka qenë shumë më ndryshe. Ai duke e ditur që protesta mund të ishte e dhunshme gjeti rastin që të tregonte se ai e siguronte sigurinë në atë vend, qoftë edhe duke vrarë”, tha ai.
