Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar zjarresh, me 21 vatra të evidentuara në disa qarqe të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka njoftuar për angazhim maksimal në terren nga Forcat e Armatosura, Zjarrfikësit dhe Policia e Shtetit për mbrojtjen e zonave të banuara dhe krijimin e perimetrave të sigurisë përreth vatrave më problematike.

Përveç operacioneve nga toka dhe avionëve që janë në veprim, ndihmës forcave shqiptare u janë bashkuar edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët pritet të dislokohen gjatë orëve në vijim, së bashku me mjete të tjera fluturuese nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia.

Ndërkohë, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë së bashkive në nivelin maksimal në të gjithë territorin, për të përballuar situatën dinamike të krijuar nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta.

Postimi i plotë:

Vëmendje dhe angazhim maksimal në terren nga Forcat e Armatosura, Forcat zjarrfikëse dhe ato të Policisë për të siguruar zonat e banuara përreth të cilave po punojmë për të krijuar perimetër sigurie në të gjitha vatrat problematike.

Që nga mëngjesi i sotëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive.

Avioni Canadair kroat ka operuar aty ku nevoja ka qenë më e madhe, në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë ndërhyrë në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk rrezikojnë perimetrin e ish-Kombinatit Mekanik.

Misionet nga ajri dhe ndërhyrja nga toka në këto zona kanë ulur rrezikun për banorët, shtëpitë dhe bizneset, por situata vazhdon të mbetet dinamike si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të larta që do të vazhdojnë të dominojnë në vend.

Gjatë orëve të ardhshme, flotës në veprim do t’u bashkohen edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 Canadair nga Greqia dhe dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia të cilët do dislokohen që sonte në Rinas dhe Bazën Ajrore të Kuçovës.

Sakaq, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë së Bashkive në nivelin maksimal në mbarë vendin teksa forcat operacionale janë të angazhuara në çdo vatër që konsiderohet kritike në territor.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb