Policia e Shtetit ka pranuar se mes 23 personave që shoqëroi mbrëmjen e sotme, pas protestës së opozitës, ka qenë dhe një i mitur.

Në reagimin zyrtar, policia thotë se si pasojë e sulmeve me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë lënduar dhe 11 punonjës policie.

Sipas njoftimit, efektivët e dëmtuar po marrin ndihmë mjekësore dhe janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies, në prani të Drejtorit Vendor të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtorit për Rendin, Dashnor Muhaj.

Po ashtu  policia sqaron se deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimit të moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Policia sqaron se prindërit janë njoftuar menjëherë dhe i mituri nuk është futur në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në ambientet e pritjes së qytetarëve, deri në marrjen në dorëzim nga prindërit.

Njoftimi zyrtar

Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.

Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.

Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb