Në një ceremoni festive në praninë e personaliteteve, zyrtarëve të shumtë dhe diplomatëve të akredituar në Tiranë, ambasada e SHBA në Tiranë ka kremtuar 249-vjetorin e pavarësisë.
E ngarkuara me punë e SHBA, Nensy Van Horn, tha se amerikanët nderojnë 4 korrikun 1776, ditën e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë. Sipas diplomates amerikane, në këtë ditë kremtohet edhe 250-vjetori i themelimit të ushtrisë dhe marinës amerikane.
“Siç tha Presidenti Trump gjatë festimit të këtij guri kilometrik në Uashington disa javë më parë, në atë ditë ‘Liria mori mburojën e saj dhe pavarësia mori shpatën e saj. Ata patriotë të Ushtrisë së parë në Revolucionin Amerikan luftuan kundër një armiku të frikshëm dhe mundësive të pafavorshme, por ishin të armatosur me një kauzë të drejtë’. Gjatë dy shekujve e gjysmë të fundit, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku Aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes”, tha ajo.
Diplomatja e SHBA u ndal te rëndësia që ka për SHBA bashkëpunimi me aleatët, ndërsa theksoi se falë sakrificave të shumë amerikanëve dhe aleatëve ndër vite, sot mund të jetojmë në liri.
“Falë sakrificës së kaq shumë amerikanëve dhe aleatëve mund të mblidhemi sonte për të festuar liritë tona. Ne mund t’i rrisim fëmijët tanë të sigurt për një të ardhme ku ata do të gëzojnë ato të drejta të patjetërsueshme të përjetësuara në Deklaratën e Pavarësisë, nënshkruar 249 vjet më parë: Jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”, tha ajo.
Gjatë ceremonisë festive për pavarësinë e SHBA, përshëndeti edhe Shefi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Arben Kingji.
